“Vetting për deputetët”, ekspertët: Si u cenua integriteti i sistemit nga PD dhe PS në 2008

schedule21:20 - 6 Korrik, 2021

schedule 21:20 - 6 Korrik, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive.  Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja  duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet  nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.

……………………………

Brenda dyerve të Kuvendit, edhe më shqetësuese se niveli kulturor i dobët i shumicës së deputetëve, mbetet inkriminimi i mundshëm i tyre. Kështu, elementë të “Listës së Zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë qenë gjatë legjislacionit të fundit, edhe pjesë e komisioneve që monitorojnë edhe vetë Prokurorinë. Rrugë të lirë personazheve të dyshimtë, për të qenë pjesë e komisioneve u lë edhe ligji nr.137/2015, i propozuar nga më shumë se 1/5-tat e deputetëve dhe i miratuar nga presidenti.

Të mjaftuar me një rregullim ligjor të  tillë të vetë deputetëve për dekriminalizimin, ku vija e kuqe e rezervimit të një vendi në Parlament, bëhet vendimi i formës së prerë i Gjykatës, ekspertët shprehen se ka ardhur momenti për të diskutuar që njësoj si në drejtësi edhe politika ti nënshtrohet një lloj vettingu. Ku emrat e dyshimtë, të përjashtohen jo vetëm nga radhët e komisioneve, por edhe tu hiqet kostumi e privilegjet e deputetit.

Autoriteti i krerëve të partive, siç thonë ekspertët, forcohet edhe më tepër prej ndryshimeve Kushtetuese të Vitit 2008. Ndonëse sot, në Kuvend dëgjojmë nga vetë deputetët të vihet theksi tek përqendrimi i pushtetit në duart e kryetarëve të partive e të kryeministrit në veçanti, kjo është bërë e mundur ligjërisht 12 vite më parë “nga më shumë se 3/5 –tat e  vetë ligjbërsëve tanë parlamentar të të dyja krahëve. Sepse sipas ekspertëve, për ligjet që mbrojnë interesat e tyre, maxhoranca dhe opozita e gjejnë emëruesin e përbashkët.  Ndryshimet kushtetuese të  vitit 2008 kanë ndikuar edhe në raportet juridike mes Presidentit dhe Parlamentit, ku roli i kreut të shtetit është dobësuar dukshëm./ Abcnews.al