Shqiponja, simboli i 100 vjetorit të pavarësisë do i dorëzohet Bashkisë së Tiranës, nga autoriteti rrugor. Ishte ky i fundit që e hoqi të shtunën veprën e artit nga sheshi hyrës i Tiranës, pasi po zbaton projektin e unazës që në atë nyje rrugore parashikon një mbikalim që do lehtësojë trafikun.
Këtij sheshi hyrës të kryeqytetit tashmë i ka mbetur vetëm emri, pasi simboli identifikues, Shqiponja e vendosur këtu me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, nuk është më. Vepra e artit është hequr për shkak të punimeve që kanë nisur për ndërtimin e një prej segmenteve të unazës së madhe të Tiranës, që parashikon edhe zgjerimin e saj.
Tek kjo nyje hyrëse po zbatohet një projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar që parashikon ndërtimin e një mbikalimi për të lehtësuar trafikun tejet problematik në këtë zonë. Kjo zgjidhje natyrisht që nuk e përmban më Shqiponjën, e cila për 6 vjet e kishte kthyer sheshin në atraksion turistik.
Heqja e Shqiponjës është bërë shkak i përplasjes direkte në rrjetet sociale mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe pasardhësit të tij, kryeministrit Edi Rama. Berisha e ka cilësuar një akt antikombëtar të Ramës e Veliajt heqjen e simbolit të kombit. Por për kryeministrin heqja e asaj vepre arti është një lehtësim estetik.
“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi”, shkruan shefi i qeverisë në Twitter.
Vepra e artit, me lartësi 10 metra, ishte realizuar nga artisti Albi Çifligu me kontribut financiar te familjes “Destani” nga Tetova, një dhuratë për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë.
ABC News ka mësuar se Shqiponja do i dorëzohet bashkisë nga autoriteti i rrugëve që po zbaton projektin. I takon tashmë institucionit vendor të kryeqytetit të mendojë për një vend ku mund ta zhvendosë atë që tashmë identifikohet si simboli i 100 vjetorit të pavarësisë e vendimi të marrë miratimin në Këshillin Bashkiak./abcnews.al