Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ka komentuar në emisionin “Real Story” në ABC News reagimin e forcave të rendit gjatë protestës, duke deklaruar se policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës për të menaxhuar situatën dhe për të ruajtur proporcionalitetin.
Bylykbashi u shpreh se efektivët e policisë janë përballur me vështirësi gjatë menaxhimit të protestës, ndërsa sipas saj, kanë treguar kujdes për të garantuar mbarëvajtjen e saj përballë sjelljeve që ajo i cilësoi si të dhunshme.
Deputetja e PS-së vuri në fokus rolin e policisë në ruajtjen e rendit publik, duke theksuar se menaxhimi i situatave të tilla kërkon kujdes, veçanërisht kur në protestë marrin pjesë edhe të mitur.
“Forcat e rendit kanë qenë gjithë kohën aty duke menazhuar situatën dhe duke treguar një kujdes të shtuar për të ruajtur proporcionalitetin ndaj reagimit të dhunshëm që kishin protestuesit. Të gjithë aktorët ndikojnë te formimi i këtij brezi që kemi sot dhe këto fëmijë 15-vjeçar nuk janë në fazën e zhvillimit të tyre intelektual që të kuptojnë pse reagojnë. Ata janë gëzuar se kanë lënë një orë mësimi kanë shkuar në shesh dhe po argëtohen. Shumë prej tyre kanë qenë në fjalor të dhunshëm. Pashë sot disa nga minorenët, iu afrua një zonjë që po i fliste si mësuese si nënë dhe fjalori që iu kthye mbrapsht ishte i tmerrshëm. Flasim për reagimin e policisë, dhe tregon forcën e shtetit dhe siguron mbarëvajtjen dhe duhet të themi se ka pasur vështirësi”, tha ajo.
/abcnews.al/


