Dy valixhe me pasaporta të falsifikuara, leje qëndrimi dhe letërnjoftime të azilkërkuesve u kapën në qendër të Athinës nga policia, ku në pranga kanë rënë dy persona me shtetësi të huaj që akuzohen si anëtarë të grupit të falsifikatorëve.
Autoritetet gjetën një sasi të madhe dokumentesh të falsifikuara , përkatësisht 707 pasaporta, 358 karta identiteti, 57 leje qëndrimi, 36 leje drejtimi dhe 15 karta azilkërkuesi. Mes këtyre dokumentesh kishte edhe nga Shqipëria, si patenta, karta ID dhe pasaporta.
Mësohet se policia i pikasi dy të arrestuari në rrugën Acharnon, ndërsa ata sapo kanë parë policinë të afrohet ia kanë mbathur duke braktisur valixhet. Por ata nuk mund të largoheshin për shumë gjatë, pasi u mbërthyen nga policia greke.
Hetimi policor ende nuk ka përfunduar pasi vlerësimet e tyre tregojnë se ka patjetër shumë persona të përfshirë në këto falsifikime.
Ata po kërkojnë gjithashtu bashkëpunëtorët e tyre dhe qarkun që ka shumë të ngjarë të shërbente edhe në Evropë. e.l/abcnews.al/