Në krye të agjendës së takimit të sotëm midis Boris Johnson dhe Angela Merkel pritet të jenë kufizimet e udhëtimit, në një përpjekje të kryeministrit britanik për të “shpëtuar sezonin e verës”.
Gjermania nga ana tjetër po i bën presion BE-së të vendosë kufizime për turistët britanikë, duke cilësuar se ajo kërkon të mbrojë vendet anëtare nga variantet e Covid. Kryeministri do të mirëpresë Angela Merkel në shtëpinë e tij të pushimeve në Checkers në vizitën e saj të 22-të përpara se të largohet nga posti.
Sidoqoftë, sipas Times, Kancelarja gjermane ka kërkuar që BE ta cilësojë Britaninë si një “vend shqetësues” për shkak të përhapjes së variantit Delta. Mbretëria e Bashkuar tashmë është në listën e vendeve me rrezik, për shkak të përhapjes së variantit Delta dhe kushdo që mbërrin nga Britania dhe Irlanda e Veriut duhet të karantinohet.
Të dy udhëheqësit, të cilët u takuan për herë të fundit në samitin e G7 në Cornwall muajin e kaluar, pritet gjithashtu të diskutojnë marrëdhëniet Londër-Berlin. Boris Johnson në një deklaratë dje tha dje se trashëgimia e Merkel midis dy vendeve do të zgjasë për “shumë breza”.
Angela Merkel do të takohet gjithashtu me Mbretëreshën Elizabeth në Kështjellën Windsor. s.ba/abcnews.al