Eliminimi ndaj Spanjës u djeg ende kroatëve. Nënkampionët e botës i dhanë fund aventurës në Euro 2020 në raundin e 1/8-ve. 3-3 përfunduan 90 minutat e duelit me Spanjën, por djemtë e Luis Enrique shënuan edhe dy gola në shtesa dhe kaluan më tej falë suksesit 5-3.
Mungesat e Dejan Lovren dhe Ivan Perisic (pozitiv me COVID përpara ndeshjes) ndikuan shumë. Ish-trajneri legjendar i Kroacisë, Miroslav Blazevic, ai që udhëhoqi kombëtaren ballkanase drejt medaljes së bronztë në Botërorin e vitit 1998, është i bindur që Spanja nuk fitonte pa këto dy mungesa.
“Spanjollët nuk do na kishin mundur kurrë nëse Perisic dhe Lovren do të ishin në fushë. Ju siguroj që nuk do ishim eliminuar. Ishte handikap i madh të luanim pa Lovren, imagjinojeni pa Perisic, prej të cilit shkuam deri aty ku shkuam“.
Më pas një kritikë për sulmuesin e majtë të Interit. “Ivan duhet të ishte vaksinuar. Kërkova që dikush duhet të ishte përgjigjur për këtë situatë kur mora vesh që nuk ishte vaksinuar.
Djali im, duhet ta kishe bërë vaksinën, për përfitimin tënd dhe të gjithë shokëve të skuadrës! Lojtarët kishin nevojë për dikë që t’i kapte nga veshi dhe t’i çonte te një infermiere për t’u vaksinuar“, thekson Blazevic. /abcnews.al