Emerson Palmieri ka folur rreth sfidës ndaj Belgjikës dhe të ardhmes së tij. Italia sfidon “Djajtë e Kuq” të premten në mbrëmje për një biletë në gjysmëfinalet e Euro 2020. Mbrojtësi i majtë beson te suksesi në këtë sfidë të komplikuar.
Me Chelsea është aktivizuar shumë pak në sezonin e fundit dhe largimi është një opsion konkret. Në Serie A e pëlqejnë shumë 26-vjeçarin, i cili nuk e mohon rikthimin në kampionatin italian të futbollit, aty ku ka luajtur më parë me Romën dhe Palermon.
“Jemi një grup shumë i bukur, jemi një familje. Kemi punuar shumë dhe po e shijojmë faktin që do të luajmë në çerekfinalet e Euro 2020. Të premten do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme, nuk duam të zgjohemi nga ëndrra.
Hazard dhe De Bruyne janë lojtarë të fortë. Diçka do të ndryshonte te Belgjika nëse nuk luajnë ata, por ata janë një kombëtare që duhet ta respektojmë, pasi po paraqiten shumë mirë në vitet e fundit. Duhet të fokusohemi te vetja jonë.
E ardhmja ime? Sezoni i fundit ka qenë i vështirë për mua, ishte hera e parë që kam qëndruar kaq gjatë jashtë fushave. Unë dua të luaj, kështu që do të bëj vlerësimet e mia rreth së ardhmes. Serie A? Opsion që qëndron“, deklaroi mbrojtësi italian. /abcnews.al