Aymeric Laporte ka luajtur me të gjithë kombëtaret e Francës. Mbrojtësi i Manchester City është grumbulluar edhe me kombëtaren e parë, por nuk ia ka dalë të debutojë me skuadrën e Didier Deschamps.
Luis Enrique e kërkoi me insistim në ekipin e tij francezo-spanjollin dhe ky i fundit vendosi të veshë fanellën iberike përpara fillimit të Euro 2020, aty ku është zgjedhur në formacionin më të mirë të fazës së grupeve.
Shumë kritika ka marrë këto kohë nga tifozët francezë, teksa 27-vjeçari flet në lidhje me këtë çështje për The Guardian. “Nuk ka qenë një vendim i lehtë për t’u marrë. Familja ime jeton akoma në Francë dhe unë kam luajtur atje kur isha më i ri.
Nuk ka të bëjë nëse ndihem francez apo spanjoll, e ndjej vetën edhe francez, edhe spanjoll. Kam jetuar në Spanjë për 8 vite dhe kombëtarja më ka kërkuar prej vitesh.
Luis Enrique më shpjegoi që stili im i lojës i përafrohet idesë së tij për futbollin, ai më tha se do të më grumbullonte në momentin që do të merrja pasaportën spanjolle.
Deschamps? Nuk më kanë kontaktuar… Nuk më pëlqen t’i rikthehem kësaj teme, por i kam dërguar një mesazh Deschamps. Nuk mora kurrë përgjigje prej tij.
Ndoshta ka ndërruar numër, mund të ketë blerë telefon të ri. Gjithsesi, unë i kam shkruar tek ai numër me të cilin më ka telefonuar më parë”, deklaroi Laporte. /abcnews.al