Në Shtetet e Bashkuara ka nisur procesi gjyqësor kundër liderit të kartelit të narkotrafikut “El Chapo” Guzman. Ndaj tij rëndojnë shumë akuza dhe pritet që ta kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg.
Gjykata federale në lindje të Nju Jorkut ka nisur procesin kundër Joaquin “El Chapo” Guzman, ish lideri i kartelit Sinaloa, i cili rrezikon dënimin e përjetshëm. Ndaj tij janë ngritur 17 akt-akuza, përfshirë pastrimin e parave të pista, narkotrafik dhe konspiracion për vrasje. Procesin në Bruklin, që do të kushtojë miliona dollarë duhet të zgjasë më shumë se 4 muaj, dhe do të vendosë një nga kriminalët më të famshëm në botë përballë sistemit amerikan të drejtësisë, pas arrestimit të tij në Meksikë dhe ekstradimit në SHBA. E hëna është dita e zgjedhjes së jurisë, përbërja e së cilës do të mbahet sekrete për arsye sigurie. Idenditeti i 12 anëtarëve të jurisë dhe 4 zëvendësuesve të tyre do të mbetet anonym dhe gjykatësit do të shoqërohen dhe mbrohen nga agjentë federalë të armatosur. Gjykatësi Brian Cogan do të drejtojë procesin me dyer të mbyllura. Ndërkohë, El Chapo mbahet i mbyllur në një burg të sigurisë së lartë në Manhatan dhe akuzohet se ka drejtuar, për 25 vjet, kontrabandën e mbi 155 ton kokainë në Shtetet e Bashkuara, duke përfituar një pasuri që ia kalon edhe asaj të kolumbianit Pablo Escobar. Ai u ekstradua në 2017-n pasi u arratis dy herë nga një burg i sigurisë së lartë në Meksikë – herën e parë u fsheh në një karrocë rrobash të lavanderisë, dhe herën e dytë gërmoi një tunel nëntokësor poshtë qelisë së tij. I konsideruar fjator, lideri i kartelit të Sinaloas mund të kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg. Karteli që El Chapo krijoi në 1989 është akoma shumë i fuqishëm. Bashkëpunëtori i tij Ismael “El Mayo” është ende i lirë dhe trafiku i drogës – i lidhur me vrasje, zhdukje dhe episode të tjera të dhunës – vijon pa pushim. Vitin e kaluar në Meksikë u kryen 29 mijë vrasje. /abcnews.al