Myrto Uzuni, sulmuesi i Shqipërisë që aktivizohet në Hungari me Ferencvaros, ka dhënë një intervistë për faqen e klubit dhe fillimisht flet për faktin që punon shumë dhe ndjek si shembull yllin e Portugalisë dhe Juventusit, sulmuesin Cristiano Ronaldo.
“Punoj shumë në stërvitje, shpesh edhe para dhe pas seancave. Dua të jem sa më i fortë dhe në formën më të mirë të mundshme, në mënyrë që të ndihmoj shokët dhe klubin të shkojë drejt suksesit. Dua të jem në formë më të mirë se sezonin e shkuar.
Është e vërtetë që Ronaldo është modeli për mua. Vullneti i tij, fakti që nuk e njeh të pamundurën, më motivon mua. CR7 tregon se me vullnetin dhe sjelljen e duhur mund të arrish gjëra të mëdha në futboll. Si futbollist është e natyrshme të tentosh të përmirësohesh, por ai e ka çuar në nivel shumë të lartë dhe unë mundohem të punoj për të qenë çdo herë e më i mirë.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se është e vështirë të jemi si Cristiano, por mund të përpiqemi të zhvillohemi me të njëjtën dëshirë dhe përulësi. Motoja ime është që duhet të jem gjithmonë më në formë se një ditë më parë”, tha fillimisht Uzuni.
https://streamable.com/zpkdox
Beratasi shënoi me kokë kundër Ludogorets dhe sulmuesi thekson se ishte i bindur që do realizonte: “Jam përballur disa herë me portierin e Ludogorestk në kampionatin kroat dhe kam arritur të shënoj kundër tij çdo herë. Isha i sigurt që do vazhdoja t’i shënoja. U kisha thënë edhe shokëve që do të shënoja. Isha shumë i sigurt në kokën time. Civic e harkoi topin në mënyrë perfekte dhe e çova në rrjetë me kokë”.
“Çfarë më bën përshtypje këtu? Mund të përmend tre gjëra: filozofia e klubit, mentaliteti i njerëzve që punojnë këtu dhe qëndrimi i tyre ndaj futbollistëve. Ndihem si futbollit i vërtetë këtu. Të gjithë punojnë të nxjerrin më të mirë te ju, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në aspektin profesional.
Tifozët pastaj janë të mahnitshëm. Ata na mbështesin nga minuta e parë deri në fund, janë një plus i madh për ne në çdo ndeshje. Pastaj qyteti, Budapesti, është një nga më të bukurit në botë. Rashë në dashuri me të që në momentin e parë që erdha këtu”. /abcnews.al