Aksidenti me 4 të vdekur në Vlorë, “Audi” me shpejtësi “skëterrë” shoi familjen

schedule11:25 - 25 Qershor, 2021

schedule 11:25 - 25 Qershor, 2021

Një familje me katër anëtarë u shua mëngjesin e sotëm në aksin Levan-Vlorë, pasi u përfshinë në aksident. Goditja e fortë rezultoi fatale për dy prindërit dhe vajzat e tyre. Viktimat e këtij aksidenti janë Eduart Gushi, 44 vjeç, Silvana Gushi, 33 vjeçe. Anastasia Gushi, 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe.

Familja po udhëtonte me mjetin tip “Toyota”. Ndërsa pranë zonës së njohur si “Kripa” më afërsi të qytetit të Vlorës ata u përplasën nga një mjet tjetër.

Gazetari Elton Nika raporton se shkak i këtij aksidenti të rëndë dyshohet të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilën lëvizte mjeti tip “Audi”. Burime nga policia bëjnë me dije se “Audi” dyshohet të ketë qenë me 150 km/h, në momentin që ka goditur nga pas makinën me të cilën udhëtonte familja.

Lexo edhe: FOTO/ Babai dhe dy vajzat që u shuan në aksidentin e frikshëm në Vlorë, makina me targa greke

Si pasojë e përplasjes të dy mjetet kanë përfunduar në anë të rrugës, ndërsa makina “Toyota” është shkatërruar plotësisht. Për pasojë është hasur vështirësi për nxjerrjen e trupave nga mjeti.

Sakaq, mjeti “Audi” nga shpejtësia e madhe ka thyer edhe një shtyllë  elektrike. Në këtë mjet udhëtonin tre të rinj, të identifikuar si Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi, të cilët ndodhen në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën. g.v/abcnews.al