Dosja sekrete, Relacioni i agjentit të Sigurimit në Beograd: Aleksandër Kondo, shkoi pranë makinës tonë

schedule08:41 - 21 Qershor, 2021

schedule 08:41 - 21 Qershor, 2021

Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27-vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

foto galeri

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

foto galeri
Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

 

  • foto galeri
  • foto galeri

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

 

foto galeri

 

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.
foto galeri

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.

foto galeri

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

foto galeri

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.

Vijon nga numri i kaluar

Raport-informacion i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për sjelljet dhe qëndrimin e Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit në Jugosllavi

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 7.8.1985

I N F O R M A T Ë

I arratisuri………………………ka shkuar në ambasadën tonë në Beograd në datën 31.7.1985 dhe midis të tjerave ka thënë: “Në hotel ‘Trimi’ në Beograd, ndodhen të arratisurit Aleksandër Kondo dhe………………………..Aleksandri dhe……………………….rrinë me……………………….është bërë pishman me vra veten, por ka rënë në hall e s’ka çfarë bën.

Ai, është i pakënaqur me Aleksandrin dhe shan qëndrimin e tij ndaj ambasadorit shqiptar, kur ky i fundit e takoi dhe ai i tha “ta vesh me tavëll kokës”. Aleksandri, ka pyetur të arratisurin ………………………………….nga Tirana, që u arratis kohët e fundit, se ç’thonin nga Tirana për arratisjen e tij, se ç’i kanë bërë familjes së tij, etj.

Aleksandri, në një bisedë që ka bërë me mua, më ka thënë, arsyen e arratisjes “Unë – shpjegonte ai – kur kthehesha nga jashtë, shokët më pyesnin se ç’kisha parë dhe sesi ishte jeta andej. U tregoja për jetën këtu, ose nga ato që me të vërtetë i kisha parë, se ca i trilloja. Këto biseda, i kishin marrë vesh dhe ata të Sigurimit, sepse para se të nisesha jashtë herën e fundit, babai më këshilloi që të mos flas lart e poshtë nga përshtypjet e udhëtimeve, e të jem i matur e i kujdesshëm. Nga frika se mos një ditë më arrestonin, u arratisa”.

Për arratisjen e Aleksandrit, kanë pasur dijeni dhe ca shokë të tij në Tiranë. Ai është arratisur për muzikë “Rrok” se të gjitha të tjerat i ka pasur në Shqipëri. Kushtet ekonomike shumë të mira, babai me pozitë, etj. Para disa ditësh, Aleksandri dhe……………………………kërkuan që të shkojnë tek ekipi ynë i qitjes që mori pjesë në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua këtu në Jugosllavi, por nuk i lanë.

“Donim të shkonim atje – theksoi Aleksandri – për të rrëmbyer ndonjë”! …………………………është penduar shumë për gabimin që ka bërë. Ai është djalë i zgjuar, ndërsa Aleksandri, duket si torollak. Ky gjatë darkave në Koshtunjak, kur ka muzikë vallëzimi në lokal, ngrihet në këmbë dhe bërtet si i çmendur, duke i’u drejtuar të arratisurve nga vendi ynë: “Çohuni, degjenerohuni çuna”.

Informata është nxjerrë nga Informacioni Nr.220 datë 1.8.1985. U nxorr në dy kopje, njëra për dosjen e Aleksandër Kondos ndërsa tjetra, për dosjen e………………………………!

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Raport i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me informatën e rezidentit të Sigurimit të Shtetit në Beograd, për provokimet e Aleksandër Kondo ndaj personelit të ambasadës shqiptare atje

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, me 14.08.1985

Rez. Beogradit me tel. NR.186 dt. 07.08.1985 njofton:

Dje mbasdite i arratisuri Aleksandër Kondo, shkoi pranë njërës nga makinat tona, tek banesat e diplomatëve, shtrëngoi dorezën e derës, bërtiti “dilni o shqiptarë” dhe u largua.

Për dijeni.

Teli është parë nga sh. Ministër e………………………………….nuk ka shënim të veçanta.

U nxuar në një kopje për dosjen e A. Kondos.

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Relacion i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi rrethanat e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë në Jugosllavi

SEKRET

Ekzemplar Nr. 1

Tiranë, më 30.9.1985

I N F O R M A C I O N

Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, ditën e arratisjes kanë shkuar me një taksi të Titogradit në Beranë të Ivangradit, ku njëri prej tyre ka njerëzit e tij. Meqenëse nuk kanë patur para për të paguar, taksisti i ka dorëzuar në UDB-n e Ivangradit.

Tani të dy sportistët ndodhen në Beograd në hotel “1000 Rusha” dhe presin të shkojnë diku në Perëndim.

Shënim: Kjo informatë është nxjerrë nga Informacioni Nr. 197 datë 7.08.1985, në dy kopje, për t’i vendosur në dosjet e Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit.

Informacioni ndodhet në dosjen e objektit të veprimatrisë subversive.

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Relacion i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për qëndrimin e Aleksandër Kondos me të arratisurit shqiptarë në Koshtunjak të Jugosllavisë

Sekret

Ekzemplarë i vetëm

Tiranë, me 27.09.1985

Beogradi me tel.246 datë 24.9.1985 njofton sh. Sefer:

“1740” infromon:

Aleksandër Kondo nuk ka ikur akoma në Amerikë, diçka ka në analizat mjeksore. Qysh kur ka dalë nga burgu, ndodhet në hotel “Astorja”. Atje nuk i pëlqen mjedisi. Gjithë ditën rri me të arratisur të tjerë në Koshutnjak që e mbajnë për të ngrënë me ushqimin e tyre.

Shoku Sefer shënon: Drejtorisë I-rë

U nxorr pjesa e dytë në dy kopje

– dosja objektit

– Për Aleksandër Kondon

Oficeri Drejtimit

B.M

Raport i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me planin e masave që do realizohej për ndjekjen e survejimin e dy sportistëve shqiptarë në Jugosllavi

Ar.238/1 “A.Res.Personal”

Ekzemplar Nr.

Beograd, më 30.8.1985

Nr. 284 datë 6.9.1985

PLAN MASASH

PËR PËRPUNIMIN E ALEKSANDËR KONDOS E XHELAL SUKNIQIT NË 2/A

Me burim “1740” do të sqarohet vendndodhja e tyre, si dhe lëvizjet që mund të bëjnë brenda Jugosllavisë nga një vend në tjetrin. – Kryen P.Op. G.M. e L.A., deri 15.8.1985 e vazhdim. Kontrollon rezidenti V.P.
Me burime të ndryshme legale e ilegale të sqarohen e thellohen rrethanat e zhdukjes së tyre në Titograd dhe veprimet e mëtejshme të organeve jugosllave me ta. – Kryen P.Op., G.M e L.A., deri 30.9.1985. Kontrollon rezidenti V.P.
Gjatë kohës që të dy objektet do të qëndrojnë në Jugosllavi të ndiqet aktiviteti i tyre armiqësor që do të zhvillojnë ndaj vendit tonë. Do të shfrytëzohet për këtë qëllim “1740” e ndonjë i arratisur që mund të vij në seli, ose që mund të takohet jashtë asaj. –Kryen P.Op., G.M e L.A. Kontrollon rezidenti V.P.
Të ndiqet përpunimi i tyre edhe me përpunimin e të arratisurit………………………, cili si agjent i UDB-së që duhet të jetë, përpunon të gjithë të arratisurit që shkojnë në kampin e Koshutnjakut. Mbajtja e……………………në kamp e vërteton këtë. – Kryen P.Op., L. A. e G.M., gjatë kohës që objektet do të jenë në Jugosllavi.

Rrethanat e arratisjes së A. Kondos e Xh. Sukniqi, mund të kenë krijuar edhe ndonjë dyshim tek organet jugosllave. Për t’i vënë në provë mund ti shtyjnë për të kryer ndonjë veprim konkret ndaj shokëve tanë, familjeve të tyre apo ndonjë qytetari tonë që vjen me shërbim apo kalon transit. Për sa sipër do të jepen porositë e nevojshme gjithë shokëve për të rritur vigjilencën kudo e në çdo kohë. –Kryen P.Op., L.A. e G.M., vazhdimisht.
Të ndiqet interesimi që mund të kenë për ta zbulimet e huaja, takimet që mund të marrin gjatë qëndrimit të tyre në Jugosllavi. – Kryen P.Op., G.M. e L.A., vazhdimisht. Kontrollon rezidenti V.P.
Të shfrytëzohet në drejtim të objekteve i arratisuri………………i cili ka ardhur një herë në seli e mendohet të vijë përsëri. – Kryen P.Op., L.A. e G.M., në vazhdim.
Për të dhënat që do të dalin në ngarkim të tyre dhe largimin nga Jugosllavia do të njoftohet menjëherë qendra. – Kryen P.Op., L.A.
Plani do të analizohet herë pas here dhe pot ë lind nevoja do të merren edhe masa të tjera.

PUNËTORI OPERATIV REZIDENTI

L.A d.v V.P. d.v

Shënim: Plani i masave është shtypur në dy kopje, një për në dosjen e përpunimit të A. Kondos e tjerat në dosjen e Xh. Sukniqit. Është nxjerrë nga materiali i fotografuar, i cili asgjesohet. Vërtetohet asgjesimi i materalit të fotografuar.

Punëtorët Operativ

B.M. e S.M.

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Raport i Drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit Shqiptar me jashtë, mbi bisedën e Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit, me një grua në Mal të Zi

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË Sekret

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E TRETË

Nr.______ Tiranë, më_____1986

I N F O R M A C I O N

Një grua shqiptare në Mal të Zi, ka thënë se: nga një kushëri i saj shofer taksie në Titograd, ka mësuar që atë e kanë ndaluar në rrugë të arratisurit Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi, të cilët mbasi i kanë thënë se janë nga Shqipëria e kërkojnë strehim politik në Jugosllavi, i kanë kërkuar që t’i çonte në organet e punëve të brendshme. Gjatë rrugës, ata i kanë folur me ngjyrat më të zeza për situatën politike e ekonomike në R.P.S.SH.-së, duke i sharë edhe udhëheqjen e Partisë e të shtetit shqiptar.

DREJTORI I DREJTORISË III

S.R.

Konsp. S.I.

Dakti. N.A.

Kopje një

Relacion i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi telegramin shifër të rezidentit të Sigurimit të Shtetit në Beograd, për arrestimin e dy sportistëve shqiptarë nga ana e autoriteteve jugosllave

Beogradi me tel.323 datë 23.11.85 njofton sh. Sefer:

Sipas “1740”, të arratisurit A. Kondo, Xh. Sukniqi dhe një tjetër, janë arrestuar sepse janë rrahur me një serb. Kjo është e vërtetë, por mund të jetë ndonjë kombinacion për të justifikuar largimin disa ditë të tyre, prandaj duhet patur kujdes. Burimi nuk ka mundësi verifikimi. Ndërkohë midis të arratisurve në “Trim” e Koshutnjak ka patur rrahje.

U nxor në tre kopje për dosjen e të arratisurve, dhe dy personat.

Oficer Drejtimi

B.M.

Relacionet e Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për njoftimet kontradiktore të rezidenturës së Beogradit dhe asaj të New York, mbi mbërritjen në SHBA-ve të Kondos dhe Sukniqit

S E K R E T

Ekzemplarë Nr.____

Tiranë, më 25.11.1985

Qendra me tel. Nr.1462 datë 25.11.1985 udhëzon Rez. New York:

Kohë më pare, na keni njoftuar se të arratisurit Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, kanë ardhur aty. Nga njësia jonë në Beograd, na thuhet se të sipërmit ndodhen akoma në Beograd.

Prandaj verifikoni sa më sipër dhe na njoftoni më përgjegjësi.

Teli u nxorr në dy kopje për të arratisurit A. Kondo e Xh. Sukniqi.

OFICERI I DREJTIMIT

F.H

Sekret

Ekzemplarë i vetëm

Tiranë, më 28.12.1985

New York me telin Nr. 1636 dt. 23.12.1985 njofton:

Takuam “6131”. Njoftoi se Aleksandër Kondo nuk ka ardhur akoma këtu. Megjithëse është i pajisur me të gjitha dokumentat përkatëse dhe vizë – amerikane, si mbahet atje për çështjen e gjyqit që ju kemi njoftuar. Për sa sipër, burimi na foli me siguri.

Shënim: Ti kalohet shokut B.M. që e ndjek si problem

Punëtori Operativ

P. K.

Sekret

Ekzemplarë Nr. Dy

Tiranë, më 4.1.1986

Misioni tonë në New York me Tel. 2266 dt. 28.12.1985, njofton MINISTRINË e PUNËVE të JASHTËME: B.S., na tha se sipas një dibrani që ka ardhur në Amerikë këto ditë, jugosllavët i kanë vrarë dy sportistët, ngritësit e peshave.

Teli u nxuar në dy kopje për Aleksandër Kondon e Xhelal Sukniqi.

OFICERI DREJTIMIT

F.H. S E K R E T

Ekzemplar nr. 1

Tiranë më 3.1.1986

Sh. S.R. me tel nr.1586 datë 31.2.1986 T. Urgjent udhëzon rezidenturën e Beogradit:

Sipas një emigranti kosovar me banim në SHBA, thuhet se Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, janë vrarë nga jugosllavët këto ditë. Me porosi të sh. Ministër, verifikoni këtë problem me përgjegjësi të plotë, dhe na thoni se si është e vërteta.

Mundësisht këtë ta bëni sot e nesër, sepse po të jetë e vërtetë e dhëna e mësipërme, ne jemi të detyruar të mbajmë qëndrim publik. Presim.

Teli u nxorr në dy kopje për A. Kondon dhe Xh. Sukniqin

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Relacion i Oficerit të Drejtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dënimin me dy muaj burg, të dy sportistëve shqiptarë në Jugosllavi

SEKRET

Ekzemplar nr

Tiranë më 3.1.1986

Beogradi me tel. nr. 388 datë 31.12.1985 njofton sh. S.R.

Thuaji nr. “1588”. “1740” informon se A. Kondo dhe Xh. Sukniqi janë dënuar me dy muaj burg dhe po vuajnë dënimin. Më gjatë do të interesohemi përsëri. Një numër i madh të arratisurish janë në burgun e “Padinska Skelës”, pasi janë arratisur për në Austri dhe organet e atjeshme, i kthejnë përsëri.

Teli është parë nga sh. Ministër e sh S.R. dhe nuk ka shënime

U nxorr në dy kopje për A. Kondon dhe Xh. Sukniqin. /Memorie.al