Ndërtimi i aeroportit të Kukësit do të nis në fillim të vitit të ardhshëm njoftoi kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të Shishtavecit. Sipas një studimi në të do të kalojnë mesatarisht në vit rreth 300 mijë njerëz.
“Unë besoj shumë që në këtë zonë, ne do të shohim modelet e para të zhvillimit të turizmit malor edhe për një arsye tjetër, sepse këtu në Kukës, besoj në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i aeroportit. Aeroporti ekzistues do të transformohet tërësisht në një aeroport të standardeve ndërkombëtare, për fluturimet me çmime të ulëta. Studimi që ne kemi bërë me ekspertë të huaj na ka inkurajuar shumë dhe mua më ka entuziazmuar shumë, sepse të gjitha analizat e bëra sipas metodave profesionale të parashikimit për suksesin e një biznesi, tregojnë se aeroporti i Kukësit do të lëvizë në një mesatare prej 300 000 udhëtarësh në vit”, tha Rama./abcnews.al