Administrata amerikane do të dërgojë rreth 5 mijë trupa në kufirin me Meksikën, për t’i bërë ballë karvanit të emigrantëve të nisur nga Hondurasi dhe Guatemala. Mediat amerikane, që përgënjeshtrojnë planin paraprak të presidentit Trump, shkruajnë se shifra është më e lartë se ajo e trupave të angazhuara aktualisht në Siri dhe Irak.
Ushtria amerikane po përgatitet të dërgojë 5 mijë trupa në kufirin me Meksikën, për të frenuar karvanin e emigrantëve të nisur nga vendet e Amerikës Qendrore. Lajmin e bën të ditur “Wall Street Journal”, që citon oficerë të lartë të ushtrisë amerikane. Shifra është shumë më e lartë se 800 trupa të parashikuara fillimisht dhe e barazvlefshme me rreth një të tretën e agjentëve të policisë kufitare që veprojnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Nëse konfirmohet, shifra do të jetë shumë më e lartë se ajo e trupave të angazhuara aktualisht në Siri dhe Irak dhe rreth gjysma e atyre të pranishme në Afganistan. Ushtarët do të vendosen në pikat hyrëse të kufirit, të paktën në fazën fillestare të misionit i koduar nga Pentagoni me emrin “Patrioti Besnik”.
Më pas trupat do të ndihmojnë policinë kufitare të ngrejë tenda, do të ofrojnë mbështetje mjekësore dhe do të ndihmojnë stafin e qendrave të komandës dhe kontrollit. Sipas të dhënave të publikuara nga “Wall Street Journal”, 1.800 trupa do të shkojnë në Teksas, 1.700 në Arizona dhe 1.500 në Kaliforni. Javën e kaluar, ish-presidenti Barack Obama akuzoi pasardhësin e tij Donald Trump se po e përdor rastin e karvanit të nisur nga Amerika Qendrore politikisht në prag të zgjedhjeve të Kongresit. Obama tha se Trump po mundohet të ushqejë frikën tek amerikanët dhe përmes planit për dërgimin e trupave synon të sigurojë mbështetjen e tyre./abcnews.al