Të Gjelbrit kundërshtojnë gazsjellësin Nordstream 2. Ndaj sistemeve autoritare ata duan “dialog dhe ashpërsi”.
Pas debateve mbi çështjet sociale, ekologjinë dhe ndërveprimin shoqëror, të Gjelbrit përfunduan të dielën (13.06.) kongresin treditor të partisë. Në rendin e ditës: diskutime mbi politikën e jashtme dhe të mbrojtjes dhe një votim përfundimtar për programin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në Gjermani.
Kandidatja për kancelare Annalena Baerbock,e cila u kurorëzua si kandidate në këtë kongres, theksoi që në fjalimin e saj në kongres se në këtë fushë, të drejtat e njeriut si parim i përgjithshëm duhet të kenë më shumë peshë, se sa interesat ekonomike.
Të Gjelbrit refuzojnë gazsjellësin gjermano-rus Nord Stream 2, i cili mbështetet nga koalicioni qeveritar konservator unionist dhe nga socialdemokratët, për arsye gjeopolitike dhe të mbrojtjes së klimës. Përsa u përket regjimeve autoritare, nga këndvështrimi i Baerbock-ut, një kombinim i “dialogut dhe ashpërsisë” është rruga e duhur.
Kurs kritik ndaj Kinës dhe Rusisë
Të Gjelbrit kërkojnë që Kina “t’u japë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut prej saj, për shembull në Xinjiang dhe Tibet dhe gjithnjë e më shumë në Hong Kong”, kështu vendosën delegatët në kongresin virtual të partisë të dielën. Një dialog konstruktiv është i nevojshëm kur është e mundur, por gjithashtu edhe “kundërstrategji të qarta”, nëse Kina përpiqet të dobësojë standardet ndërkombëtare, u tha në kongresin e Të Gjelbërve.
Të Gjelbrit dëshirojnë bashkëpunim në politikën e klimës. Rusia është kthyer “gjithnjë e më shumë në një shtet autoritar dhe po dëmton gjithnjë e më shumë demokracinë dhe stabilitetin në BE dhe në fqinjësinë e përbashkët”, shkruhet në programin e Të Gjelbërve. E rëndësishme është të mbështetet shoqëria civile. Sanksionet kundër udhëheqjes ruse duhet të ashpërsohen, nëse është e nevojshme. Kërkesat në kongres për qëndrime më pak kritike ndaj Kinës dhe Rusisë, u refuzuan me shumicë të qartë.
Jo parimisht kundër përdorimit të dronëve luftarake
Të Gjelbrit nuk e refuzojnë më kategorikisht prokurimin e dronëve të armatosur për ushtrinë gjermane, kur ato ofrojnë mbrojtje më të mirë për ushtarët në zona operacionale në situata të caktuara. Ky formulim u votua me 347 vota pro dhe 343 kundër.
“Prandaj duhet të bëhet e qartë që përpara se të merret një vendim në lidhje me këtë prokurim, se për cilët skenarë misionesh të ushtrisë gjermane bëhet fjalë.”
Një përdorim i dronëve për “vrasje pa gjyq dhe veprime të tjera në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” nuk është në përputhje me kushtetutën gjermane dhe me të drejtën ushtarake gjermane, u deklarua.
Gjatë diskutimeve të mëparshme mbi programin zgjedhor, delegatët të premten dhe të shtunën ndoqën linjën e kryesisë federale për të gjitha temat. Kongresi i partisë i hodhi poshtë shumicën e mocioneve për programin e partisë./’DW