Kadilli, Shehaj dhe Harxhi tregojnë për DW çfarë do ndryshojë në PD

schedule12:17 - 12 Qershor, 2021

schedule 12:17 - 12 Qershor, 2021

Agron Shehaj, kandidat për kryetar të PD, thotë se në krye të PD duhet të vijnë njerëz të pakorruptuar, që të punojnë për interesin publik.

DW: Çfarë ndryshimesh do të sillni ju në drejtimin Partisë Demokratike, (PD) nëse të dielën, më 13 qershor, do të zgjidheni kryetar i saj?

Agron Shehaj: PD-ja duhet të rikthehet në vlera të tilla si demokracia e brendshme, meritokracia dhe ndershmëria.PD duhet të ketë në krye njerëz për të cilët qytetarët mendojnë se janë të pakorruptueshëm, të zotë dhe me kurajo për të punuar për interesin publik. Ndryshimi do të fillojë me vendosjen e standardit statutor që kryetarit që humbet zgjedhjet i mbaron automatikisht mandati dhe nuk mundet më të rikandidojë. Vetëm kështu kryetari i PD-së do ketë interes të luftojë për të fituar duke tërhequr njerëzit më të mirë dhe të jetë i vetëdijshëm që ka vetëm një mundësi për ta çuar Partinë Demokratike në fitore.

Ndryshimi i dytë është zgjedhja nga anëtarësia e kandidatëve për deputetë. Në zgjedhjet e kaluara anëtarët e PD u zhgënjyen pasi u ftuan të votonin një listë kandidatësh të caktuar nga lidershipi, sipas një modeli të padëgjuar në botë. Me propozimin tim anëtarësia do të vendosë cili do të jetë kandidat, vendin e kandidatëve në listë përmes votës me parimin “një anëtar, një votë”. Ndryshimi i tretë, që mendoj se është kryesori, është rikthimi i luftës kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga oligarkët si prioritet kryesor të opozitës. PD duhet të heqë dorë nga lojërat politike të pakuptimta që nuk u shërbejnë problemeve reale të shqiptarëve dhe të merret me shkakun kryesor të varfërisë që është korrupsioni.

DW: Cili është vizioni juaj për rolin që duhet të marrë PD si forca më e madhe opozitare, me 59 deputetë në Parlamentin e ri, që fillon funksionimin e tij në shtator?

Agron Shehaj: PD duhet të luftojë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve përballë një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar. Lufta kundër korrupsionit, sidomos ndëshkimi i korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit, duhet të jetë prioriteti kryesor i PD. Pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve nuk ka demokraci dhe zhvillim. Kjo duhet të jetë kauza dhe beteja e PD. Papunësia është shqetësimi kryesor i shqiptarëve dhe shkaku kryesor i papunësisë është korrupsioni dhe kapja e ekonomisë nga oligarkët.

DW: Cilat janë epërsitë tuaja në raport me kandidatët e tjerë, që po garojnë për t’u zgjedhur këtë të dielë në postin e kryetarit të PD?

Agron Shehaj: Partisë Demokratike i duhet një lider i besueshëm, i pakapur nga interesa ekonomike dhe mbi të gjitha që shqiptarët të mendojnë, se do t’u thotë jo oligarkëve dhe kompromisit me të keqen.

DW: Çfarë sinjalesh po merrni nga baza e PD dhe mbështetësit e saj në takimet që po zhvilloni me ta. A janë pro ndryshimit?

Agron Shehaj: Demokratët janë shumë të kthjellët në gjykim. Bilanci negativ 8-vjeçar në opozitë është i qartë për të gjithë. Demokratët duan jo thjesht të fitojnë, por duan një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme. Demokratët e dinë që nëse dikush nuk ja ka dalë një herë, dy, tre, katër nuk ka gjasa t’ia dalë herën e pestë.

DW: Cilët konsideroni aleatët tuaj në përpjekjen për të qënë në krye të PD?

Agron Shehaj: Aleatët e mi janë demokratët që nuk i druhen të vërtetës. Ata që kanë sakrifikuar dhe sot vuajnë pasojat e mungesës së përgjegjësisë së lidershipit. Ata që duan të shohin përpara, ata që nuk pranojnë vendimet e gabuara të lidershipit, ata që duan një PD meritokratike, evropiane, demokratike dhe ku promovohen më të mirët. Ata që mendojnë se PD duhet të hapet dhe bashkohet, me njerëz të rinj, që nuk i tremben talentit dhe kontributeve por që i vlerësojnë ato.

DW: A keni kundërshtarë të tjerë përveꞔ tre konkurrentëve në garën për kryetar partie?

Agron Shehaj: Zgjedhjet u imponuan pa mbaruar ende përfundimi i rezultateve zgjedhore. U la një afat kohor i pamjaftueshëm për të bërë fushatën dhe për të bashkëbiseduar me të gjithë demokratët kudo në Shqipëri. Zgjedhja e kreut të PD është momenti më i rëndësishëm, moment kyç, për demokratët ndaj kurrsesi nuk duhet të kalonte kaq shpejt, vetëm e vetëm se lidershipi nuk mban dot përgjegjësi. Sot demokratët vendosin nëse do të fitojnë apo do të humbasin në zgjedhjet e ardhshme.

 DW: A po zhvillohet gara në mënyrë transparente dhe të barabartë?   

Agron Shehaj: PD duhet çliruar nga praktika që kryetari është më i rëndësishëm se parimet dhe vlerat demokratike. Një nga prioritetet e mia, nëse do të fitoj besimin e demokratëve, është të vendos standardet dhe gjithë infrastrukturën e duhur për të mbajtur zgjedhje të ndershme, të lira brenda partisë, të cilat sot nuk ekzistojnë.

***

Edith Harxhi, e para grua në 30 vitet post-komuniste të Shqipërisë kandidon për t’u zgjedhur kryetare e PD. Nëse fitoj garën do të realizojë bashkimin dhe hapjen e PD-së, thotë Harxhi.

DWZnj. Harxhi, ju jeni një ndër katër kandidatët, që po konkurroni për të drejtuar PD-në. Çfarë mendoni se ka qënë e gabuar në drejtimin e PD në 8 vitet e saj të opozitës?

Edith Harxhi: PD ka gabuar shumë rëndë dhe nuk është sjellë si një opozitë serioze përballë qeverisë së kryeministrit Rama. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 Basha hartoi lista të personalizuara kandidatësh për deputetë. Dy vjet më pas, në shkurt 2019, ai mori një vendim të skajshëm për dorëzimin e mandateve të deputetëve në grupin parlamentar të PD. Protestat që filluan pas daljes së PD nga parlamenti dështuan në qëllmin e tyre për të rrëzuar qeverinë Rama. Një tjetër gabimi i rëndë i kryetarit të opozitës ishte vendimi për mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale 2019. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, ai dështoi përsëri dhe nuk mbajti premtimin publik për garantimin e votës së shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

DWSi do ta përshkruani PD që ju do të trashëgoni, nëse fitoni garën për ta drejtuar atë, pasi PD nuk është vetëm kreu i saj?

Edith Harxhi: PD është një strukturë 30-vjeçare me kontribut të anëtarëve të saj, dhe gjithë qytetarëve demokratë shqiptarë, prej vitit 1990. Ajo është një pasuri kombëtare. Në bindjen time, ne u detyrohemi të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm atyre të Republikës së Shqipërisë, por edhe shqiptarëve të diasporës, për të ngritur një PD të fortë dhe të vendosur, për t’i bërë ballë pushtetit të Edi Ramës. Por edhe për të përballuar me sukses mjaft sfida të tjera të mëdha e të rëndësishme kombëtare.

DWCili është vizioni juaj për një drejtim ndryshe të PD-së, që të rikthejë besimin në elektoratin e saj se është e aftë për të qeverisur vendin?

Edith Harxhi: Programi politik me të cilin garoj për t’u zgjedhur kryetare e PD mbështetet pikërisht mbi të njëjtat vlera dhe parime, si ai i PD, në ditën e themelimit të saj, më 12 dhjetor 1990. Për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa! PD, si vlerë e rëndësishme kombëtare, duhet t’iu kthehet anëtarëve të sajdhe t’i shërbejë interesit qytetar. Për këtë është jetike ringritja e saj, mbështetur tek vlerat dhe parimet e partive të djathta. Në PD duhet që gjithçka të vendoset vetëm nga Forumet e Partisë, mbështetur në statut, nëpërmjet debatit e konkurrencës së lirë, duke i dhënë fund vendim-marrjes vetjake të kryetarit. Duhet të mundësohet zgjedhja e përfaqësuesve vetëm nëpërmjet listave plotësisht të hapura për zgjedhjet e përgjithshme dhe të këshilltarëve vendorë.

Në PD duhet të mundësohet decentralizimi dhe autonomia e degëve të partisë. Forumi Rinor dhe Lidhja Demokratike e Gruas duhet të ketë të drejta të njejta si gjithë anëtarësia e partisë. Shtyllat kryesore të programit tim politik janë liria dhe të drejtat themelore të njeriut, familja, çështja dhe interesi kombëtar, prona, njohja e gjithë të drejtave të mohuara të pronarëve të ligjshëm dhe të përndjekurve politikë të diktaturës, mbështetja e të rinjve dhe punësimi i tyre në vend, duke i dhënë fund shpopullimit shqetësues të Shqipërisë. Ky program i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të ekonomisë së tregut, prodhimit vendas, konkurrencës së lirë dhe aftësisë. Ai parashikon zhvillimin e turizmit, në të gjitha format që mundëson vendi, zhvillimin e prodhimit bujqësor, të prodhimit energjetik dhe mbrojtjen me ligj të prodhimit shqiptar përballë atij të importit.

DWA ka gjasa që situata e rëndë ku ndodhet tani PD t’ju japë më shumë shanse si grua për të fituar në raport me tre kandidatët burra, pra a është gati PD të zgjedhë në krye të saj një grua?

Edith Harxhi: Në këtë garë nuk kam hyrë si grua, por si qytetare që beson tek meritokracia, tek vlera që janë njerëzore dhe universale. Në këtë garë kam hyrë për një moral politik, për të treguar që ka përfunduar koha e gjithë atyre, që mund të marrin fatet e popullit në dorë dhe të bëjnë çfarë të duan. Ky është moral që s’ka të bëjë me gjininë. Jam e e vetëdijshme që jetojmë në një shoqëri me mendësi maskiliste, prandaj jam edhe e gatshme ta sfidoj këtë mendësi.

DW: Cilat janë avantazhet tuaja, çfarë ofroni ju më shumë në drejtimin e PD, në raport me tre konkurrentët burra?

Edith Harxhi: Ajo që guxoj të sfidoj, jo vetëm si grua, por si një kandidate për kryetare të PD, është dhënia fund e tranzicionit 30 vjeçar dhe fillimin e një epoke të re për të gjithë popullin shqiptar. Besoj në bashkimin dhe hapjen e Partisë Demokratike, nëpërmjet afrimit të gjithë atyre, të cilët duan që ky vend të ecë përpara.

DW: Si e shikoni deri tani garën për drejtimin e PD?

Edith Harxhi: Kam hyrë në një garë jo të barabartë dhe jo transparente. Po garoj pa pasur listat e zgjedhësve, pasi ato i mban peng kryetari i partisë, që për fat të keq e ka kthyer PD në një sekt okult. Ndërkohë e kam ftuar kryetarin e partisë në një debat publik dhe e kam sfiduar gjithë këto ditë, për hir të vlerës të ballafaqimeve të programeve më të mira përballë zgjedhësve tanë. Por kjo kërkesë është refuzuar.

DWA ka ndikim në anëtarësinë e PD, shpallja e liderit të saj historik, Sali Berisha, nga sekretari amerikan e shtetit, Antony Blinken, si “person i padëshëruar”?

Edith Harxhi: Po, natyrisht që po. Kjo sepse z. Berisha ka një kontribut të madh në gjithë zhvillimet politike dhe shoqërore të këtyre 30 viteve si dhe në çështje të ndryshme kombëtare. Për këtë arsye anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike besoj se ndjehen shumë të tronditur.

***

Fatbardh Kadilli thekson se synon shndërrimin e PD në një lëvizje popullore me forcë tërheqëse për gjithë. Ai thekson se synon ringritjen e PD si një parti opozitare pa asnjë njollë korrupsioni financiar dhe moral.

DW: Z. Kadilli, ju jeni një nga katër kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, (PD) në zgjedhjet që do të zhvillohen, këtë të dielë, më 13 qershor. Cila është situata aktuale në PD, partia më e madhe opozitare në Shqipëri?

Fatbardh Kadilli: PD po kalon një moment shumë të vështirë. Për herë të parë një forcë politike fiton mandatin e tretë radhazi për të qeverisur dhe gjithashtu është hera e parë që një forcë politike shtrëngohet të qëndrojë për herë të tretë në opozitë. Kjo vë në pikëpyetje shumë gjëra. Duke filluar nga konceptimi i një opozite të re, që nuk duhet të ketë asgjë që t’u referohet elementeve krahasuese me ish-qeveritë e PD. Energjitë e opozitarizmit janë sot në pikëpyetje. Mungesa e traditës së opozitarizmit dhe prirja për t’u përshtatur me pushtetin rrezikon të kompromentojë qëndrueshmërinë politike të PD. Ka lodhje të ekipeve dhe të strukturave, pas shumë betejash të humbura , ku kanë konsumuar energji dhe moral. Por, duhet thënë që shqiptarët përsëri, me mbështetjen e tyre masive, e përcaktuan PD si të vetmen alternativë përballë pushtetit. Mbi 600 mijë vetë votuan që PD të jetë presioni ndaj pushtetit, rezistenca opozitare dhe alternativa qeverisëse. Mbi këtë bazë ne duhet të ngremë projektin e një opozite të re.

DW:  Çfarë ofroni ju për të ringritur PD në nivelin e një opozite të re?

Fatbardh Kadilli: Projektin për ngritjen e një opozite të re e kam paraqitur në një Manifest Politik, të bërë tanimë publik, që synon ndryshim rrënjësor në organizimin dhe funksionimin e PD, për ta bërë PD një lëvizje popullore tërheqëse për këdo individ dhe grup interesi. Oferta ime është një PD më e madhe se kryetari, ku vendimmarja u takon anëtarëve, një parti ku forca qëndron jo tek vula e kryetarit por tek vota e anëtarit, një parti që frymëzon me modelin dhe me kauzat e saj që duhet të jenë programore dhe jo rastësore si deri më sot. Jo më një parti të rrugës, por një parti të institucioneve, që nuk u shmanget betejave në institucione. Sot mund të jemi pakicë numrash por duhet të shndërrohemi në shumicë morale. Një parti e vërtetë, që përputh kauzën me moralin e saj dhe me gjithë sjelljen e saj politike. Një parti partnere me faktorin ndërkombëtar që garanton sigurinë tonë kombëtare dhe mbron demokracinë dhe lirinë e shoqërisë shqiptare.

DW: A ka nevojë PD për pastrim nga të korruptuarit dhe abuzuesit, kur ka qënë në pushtet?

Fatbardh Kadilli: Jam për një PD të pastër si një detyrim ndaj shqiptarëve. Jam për një opozitë të pastër nga ꞔdo njollë korruptimi financiar dhe moral. Kam hyrë në jetën publike si drejtues i koalicionit antikorrupsion. Integriteti im është fuqia ime. Vetëm një PD e pastër nga korrupsioni mund të jetë një PD fituese.

DW: Ku qëndron epërsia juaj ndaj tre kandidatëve të tjerë, përfshirë edhe kryetarin aktual Z.Basha?

Fatbardh Kadilli: Epërsia ime vjen nga përvoja e akumuluar në 30 vite politikë. Epërsia ime është integriteti im i pacënuar nga asnjë kompromentim politik, moral apo financiar. Dhe më e rëndësishmja, unë jam i vetmi kandidat që po propozoj të ndahemi nga një cikël tashmë i konsumuar politik dhe me Manifestin Politik ofroj rrugën e ringritjes së PD dhe formësimin e një lëvizjeje popullore. Një ꞔmontim të politikës tradicionale, të kryetarëve pronarë dhe demokratizimin e PD me anëtarin e fortë, të lirë dhe me dinjitet.

DW: A po zhvillohet gara për kryetar të PD në mënyrë të barabartë dhe transparente?

Fatbardh Kadlli: Gara nuk është aspak e barabartë. Kryetari në zyrë përdor mjetet e partisë, ashtu si Rama përdor mjetet e pushtetit. Ky përdor administratën e partisë, ashtu si Rama administratën publike. Ky prish rregullat e garës, ashtu si Rama. Kjo është pabarazia në mjete. Por unë nxitem të vazhdoj me vendosmëri garën nga një tjetër pabarazi. Është pabarazia morale. Këtu unë jam dukshëm në avantazh.

DW:  Z. Kadilli, ju po zhvilloni takime me bazën e PD, me anëtarë dhe mbështetës të saj. A kërkojnë ata ndryshimin e lidershipit të PD?

Fatbardh Kadilli: Ka që e kërkojnë ndryshimin, ka që reflektojnë kur u flet për ndryshimin, ashtu sikurse ka të tjerë që përcjellin shenjat e një tradite nënshtrimi ndaj liderit apo imazhit të ngulitur në kokë për liderin. Ndryshimi i kryetarit është i domosdoshëm. Basha që mban prej tetë vjetësh detyrën e kryetarit ka shpërdoruar gjithë mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve dhe ka zhgënjyer pritshmërinë e shqiptarëve për një qeverisje më të mirë./DW