Monolog nga Erion Kristo: Jeta virtuale, njerëzit mes botës reale dhe asaj të “gishtit”

schedule21:21 - 11 Qershor, 2021

schedule 21:21 - 11 Qershor, 2021

Monolog nga Erion Kristo

Sot kemi dy botë, botën reale, këtë që e prekim me këmbë , me dorë dhe gjithçka tjetër dhe botën virtuale, që e prekim vetëm me gisht. Kjo bota e gishtit është bërë më e rëndësishme se kjo bota e vërtetë.

Është bërë kaq e rëndësishme sa njerëzit kalojnë orë të tëra, jo në jetën reale, por në këtë botën virtuale. Po t’i shikosh njerëzit kanë filluar të mendojnë në të njëjtën mënyrë,  të veprojnë në të njëjtën mënyrë, të sillen në të njëjtën mënyrë, ashtu siç shikojnë të ndodh në rrjetet sociale.

Futja e TikTok-ut , futja e Instagram-it e këtyre gjërave i ka çoroditur njerëzit fare, i ka bërë si majmunë që imitojnë njëri-tjetrin. Mbi të gjitha këto majmunërira pëlqehen në mënyrë të gjerë. Nuk dua të bëj si anëtar i fontit demokratik apo si ata komunistët që u prisnin barsetat njerëzve dhe i kapnin nga veshët.

Bëni si t’ua dojë kokrra e qejfit, por mos harroni se niveli i një kombi duket tek marrëdhënia që ka me dijen, tek marrëdhënia që ka me kulturën dhe në këto momente notojmë në një injorancë të plotë. Mëgjithatë ky nuk është problem themelor, problem është kur ne ia japim këtë përbindësh, që janë rrjetet sociale , në dorë fëmijëve , në duart e tyre të brishta.

Dhe ne nuk kemi aftësinë t’i kontrollojmë , t’i shikojmë , t’i ndjekim sepse në këtë botë fëmijët tanë dinë më shumë seç dimë ne. Dhe çfarë ndodh? Ndodh që janë të rrethuar nga njerëz me qëllime shumë të këqija.

Prandaj do ju lutesha të jeni më të vëmendshëm, t’i hapni sytë dhe t’i bëni sa një fener mercedezi , duke i parë kalamajtë tuaj në dritë të syrit se çfarë bëjnë dhe si sillen. Kujdesuni për fjalorin e tyre që ka filluar të degjenerojë me shpejtësi shumë të madhe, kujdesuni me marrdhëniet e bullizmit që kanë me njëri – tjetrin dhe për fyerjet pafund që  janë në rrjetet sociale.

Sepse këto mund të sjellin pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor të tyre. Prandaj ju ftoj të gjithëve të jeni sy çelur dhe të mos i lini fëmijët tek dadoja celular. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!