Me një projekt një miliardë euro Ministria gjermane e Mjedisit synon të sigurojë rezervat ujore të vendit. Nuk duhet të bëhet luftë për të pasur ujë, thotë Svenja Schulze.
Gjermania është në përgjithësi vend i pasur me ujëra, por në disa rajone uji po bëhet më i kursyer për shkak të ndryshimit të klimës, thotë ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze kur bën prezantimin e projektit të saj për strategjinë kombëtare të sigurimit të ujit.
Schulze është politikane e Partisë Socialdemokrate. Kur foli me redaksinë e gazetës Neue Berliner ajo tha, se „uji nuk mungon, por ka probleme me shpërndarjen”. Prandaj është e dosmosdoshme që rajonet e pasura me ujë dhe ato të varfëra të kenë shpërndarje të barabartë.
Në strategjinë kombëtare për rezervat ujore ministrja Schulze kërkon ngritjen e një infrastrukture masive të ujërave. Për këtë duhen dhënë në dhjetë vitet e ardhshme nga 100 milionë euro çdo vit, pra gjithsej një miliardë euro.
Komunat dhe furnizuesit e ujit duhet të bashkëpunojnë më shumë në nivel mbirajonal dhe duhet të krijojnë shoqata rajonale, thuhet në plan. Krijimi i sistemit të shpërndarjes së ujit dhe rezervuarët ekstra për ujin, si për shembull ngritja e digave do të krijojnë mundësinë që plani të jetë „ekologjikisht i përballueshëm”.
Uji është edhe faktor ekonomik
“Ndryshimi i klimës përbën sfidë gjigande për ekonominë ujore dhe për të githë përdoruesit e tij,” thuhet në projekt. „Verat do të jenë më të nxehta dhe më të thata. Reshjet e shiut do të shpeshtohen, kurse të borës do të rrallohen”. Tre vitet e thata njëra pas tjetrës, arritën ta bënin të ndihej kjo gjë dhe pritet që edhe në vitet e ardhshme kjo të vazhdojë. Problemi tjetër është sfida e rëndimit të lumenjve dhe liqeneve me përmbajtje nitrati dhe fosfori. Përveç kësaj shqetësim përbëjnë edhe pjesëzat e plastikës në ujëra si dhe mbeturinat e medikamenteve.
Meqenëse në të ardhmen uji do të kthehet edhe më shumë në faktor ekonomik, nuk duhet që mungesa e tij të kthehet në disfavor gjatë konkurrncës, thotë ministrja Schulze. „Për mua është e rëndësishme të krijohet kuadri i duhur për shpërndarjen e ujit. Nuk duhet të bëhet luftë për të fituar ujin”.
Ajo pati shpjeguar që vitin e kaluar strategjinë me masat e reja që duhen marrë dhe hierarkinë që duhet krijuar për përdorimin e ujit. Prioriteti kryesor ka të bëjë me furnizimin e njerëzve me ujë të pijshëm, gatimin dhe larjen, tha ajo, duke shtuar se: “pas kësaj çështja bëhet interesante.”/DW