Manastirliu e Kushi në Hungari: Projekte për studentët që të marrin diploma europiane në Shqipëri

schedule19:31 - 7 Qershor, 2021

schedule 19:31 - 7 Qershor, 2021

Ministra e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, kanë dhënë detaje rreth takimeve të zhvilluara në Hungari.

Nëpërmjet një video-mesazhi në rrjetin social “Facebook” Manastirliu u shpreh se në këto takime u diskutua për diploma e doktoratura të përbashkëta si edhe praktika të studentore që mund të zhvillohen në Hungari, me qëllim thellimin e bashkëpunimeve mes vendeve.

“Kemi diskutuar për diploma të përbashkëta,doktoratura të përbashkëta dhe për praktika studentore që mund të zhvillohen në Hungari. I kemi bërë një ftesë rektorit të Universitetit të Hungarisë për të bërë një vizitë në Universitetin Mjekësor dhe në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza për të parë rrugët më të mira të bashkëpunimit që kanë në fokus zhvillimin e shëndetësisë. Do të ngrihen grupe punë të përbashkëta për t’i dhënë frymë këtij bashkëpunimi dhe besojmë se shumë shpejt do të finalizohet një memorandum mirëkuptimi mes dy palëve”, tha Manastirliu.

Ndërkohë Ministrja e Arsimit Evis Kushi sqaroi se një nga objektivat e këtij mandati qeverisës është rritja e cilësisë në Arsimin e Lartë.

Po ashtu Kushi bëri me dije se vijon angazhimi për hapjen e universiteteve shqiptare ndaj universiteteve prestigjioze europiane me programe e projekte të përbashkëta në mënyrë që studentët  të mund të marrin në të ardhmen diploma europiane edhe në Shqipëri.

“Një nga objektivat më madhorë të mandatit të ri qeverisës është rritja e cilësisë në Arsimin e Lartë dhe hapja e dyerve të Universiteteve shqiptare për Universitet Europiane në mënyrë që studentët të kenë diploma që njihen edhe në vendet e BE. Në këtë kuadër ishte edhe takimi me dy rektorët e universiteteve në Budapest që shprehen interes për të thelluar bashkëpunimin që tashmë ekziston prej vitesh”, shtoi më tej Kushi./i.k/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!