Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të mbajnë kontakte me Iranin, edhe pse gjatë natës forcat amerikane kryen sulme të reja ndaj vendit.
“Ndërsa po flasim, ne jemi në bisedime me ta”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Presidenti amerikan nuk sqaroi nëse kontaktet me Teheranin po zhvillohen drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësve.
Më vonë ai tha se në këto bisedime janë të përfshirë edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke shtuar se SHBA-ja po komunikon me persona të ndryshëm.
Ndërkohë, konflikti është përshkallëzuar sërish pas sulmeve të reja ajrore.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.
Në mesin e qershorit, Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord për një marrëveshje kuadër, e cila synonte të hapte rrugën drejt përfundimit të luftës përmes negociatave më të thelluara.
Mes palëve ka qenë gjithashtu në fuqi një armëpushim që nga prilli, por Trump së fundmi deklaroi se ai kishte marrë fund pas shkeljeve të shumta.



