Në vendin që kryeson presidencën e Bashkimit Evropian, në Austri Presidenti i Republikës, Ilir Meta, çmoi vëmendjen që ajo i kushton Ballkanit Perëndimor, si një prioritet i rëndësishëm për Bashkimin Evropian.
“Ndaj pritshmëria e Shqipërisë, por edhe e rajonit është, me të drejtë, shumë e madhe, pavarësisht vështirësive”.
Në krah të homologut të tij austriak, presidenti Meta u shpreh se Shqipëria po punon fort për celjen e negociatëave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian sa më parë të jetë e mundur.
“Në këtë kontekst, ndamë qëndrimin e përbashkët se votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap shumë i rëndësishëm, që nxit shpresën dhe besimin e përbashkët që procesi i anëtarësimit të saj në NATO dhe BE po shkon në drejtimin e duhur”.
Një rajon më pranë NATO-s dhe BE-së garanton më shumë siguri, paqe dhe stabilitet për Ballkanin, Europën dhe Aleancën Trans-Atlantike tha kreu i shtetit shqiptar.
“Me këtë optikë e shikojmë dhe mundësinë dhe kemi dëshirë, që qytetarët e Kosovës të përftojnë lëvizjen pa viza drejt BE-së, brenda Presidencës Austriake, duke shënuar fundin e izolimit të tyre të pamerituar, pasi siç ka deklaruar edhe Komisioneri përgjegjës Avramopulos në Tiranë, Kosova, prej kohësh i ka realizuar të gjitha standardet e kërkuara”.
Ky është viti i përbashkët i kulturës Shqipëri-Austri. Ai do t’i shërbejë veçanërisht Diasporës Shqiptare në Austri, e cila është e mirëintegruar, dhe vazhdon të gjenerojë personalitete të spikatuar në art, kulturë, shkencë, dhe në fusha të tjera- ka nënvizuar Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ndodhet në Austri me ftesë të homologut të tij Alexander Van der Bellen./abcnews.al