“Ndëshkimi i të fortëve”/ Veliu: Janë arrestuar 300 persona

schedule13:26 - 23 Tetor, 2018

schedule 13:26 - 23 Tetor, 2018

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një konferencë për shtyp deklaroi se operacioni “Ndëshkimi i të fortëve” po kontrollon individët me “precedentë kriminalë dhe me rrezikshmëri shoqërore”, kudo që ata janë.  Nga ky operacion u arrestuan 300 persona prej 20 shtatorit në çdo cep të Shqipërisë.

Pasi drejtori i Policisë shtetit mbajti shënim kritikën e shefit të Qeverisë Edi Rama, ragoi në një kohë të shkurtuar, duke bërë publike rezultatet e punës së tij.

Ardi Veliu në daljen e dytë para gazetarëve, në po kaq ditë, theksoi se, operacioni “Vol-vo”, ku u zbulua edhe një laborator i përpunimit të heroinës në Has vijon dhe hetimet janë në rrugë të mbarë.

“Që prej nëntorit 2017, kur nisi operacioni “Forca e Ligjit” për skedimin, identifikimin dhe hetimin, një sërë grupesh kriminale janë goditur dhe një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtyre grupeve sot janë pas hekurave të burgut. Operacioni i orëve të fundit ‘Vol-Vo 4” goditi anëtarët e 4 grupeve kriminale dhe pati një shtrirje në 12 qytete, pa asnjë dekonspirim, megjithë përmasat jo të zakonshme të një operacioni policor, me 1500 efektivë në terren. Për shumë grupe të tjera të skeduara tashmë në hetimet intensive prej shumë muajsh, janë në rrugë të mbarë dhe do të ketë shpejt të tjera rezultate domethënëse në këtë luftë pa kompromis.Sot jam përballë jush dhe qytetarëve, për t’ju informuar dhe bërë me dije rezultatet e para të një tjetër Operacioni me shumë rëndësi, në të cilin është angazhuar Policia e Shtetit në të gjithë territorin e vendit”.

Operacionet e muajve të fundit, çuan në gotitjen e 300 të fortëve, ku gjysma e tyre kishin një urdhër-kërkimi, këmbëtar dhe ndërkombëtar.

“Gjithashtu janë kapur e arrestuar 154 persona për të cilët ka patur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë kryer kontrolle disa banesa dhe lokalesh, dhe për këtë gjë drejtori Veliu kërkoi ndjesë nëse iu ka shkaktuar shqetësim në ato familje.

“Policia e Shtetit, duke përfituar nga rasti kërkon ndjesë, nëse në ndonjë rast kontrollet e ushtruara në ambiente publike krijojnë shqetësim, por e konsiderojmë më shumë rëndësi vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që tentojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit, nën petkun e “të fortit”. Nuk ka të fortë përballë autoritetit të ligjit!”

Burime nga drejtoria e policisë së shtetit pohojnë se, nuk janë ndërprerë aksionet për prangosjen e personave të shpallur në kërkim, të cilët prej prej shumë vitesh i fshihen drejtësisë. /abcnews.al