Punimet për spitalin e ri pranë QSUT, Rama: Shërbime më cilësore

schedule13:09 - 23 Tetor, 2018

schedule 13:09 - 23 Tetor, 2018

Hapja e kantierit për nisjen e punimeve për spitalin e ri pranë QSUT, sipas kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu do të ofrojë shërbime më cilësore dhe më moderne për qytetarët. Kryeministri gjithashtu theksoi se qeveria ka në synim që brenda këtij mandati të hape 300 qendra të reja shëndetësore në të gjithë vendin.

Hapet kantieri për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe spitalit të kirurgjisë pranë QSUT. Të pranishëm për hapjen e kantierit të ri ishin kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu. Kryeministri Rama deklaroi se nisja e punimeve do të ofrojë dhe garantojë shërbime më cilësore për të gjithë qytetarët.

Edi Rama: “U jam shumë i vetëdijshëm sesa shumë akoma duhet bërë, në mënyrë që të kemi një spital qendror të standardeve të mira europiane në të gjithë metrat katrorë të territorit. Së shpejti, pasi të kemi ecur me këtë kantier të ri, do të mund të nisim edhe ndërtimin e një parkimi modern.  Me këtë investim të ri dhe me çka ky investim i konsiderueshëm do të sjellë për Qendrën garantojmë një hop të madh cilësor dhe një shërbim shumë më efikas e shumë më të integruar”.

Rama theksoi se qeveria ka në synimin e saj që deri në fund të këtij mandati të hape edhe 300 qëndra të reja shëndetësore.

Edi Rama: Po ecim me rindërtimin e qendrave shëndetësore. Ambicia është për të pasur 300 qendra të reja shëndetësore, të pajisura të gjitha sipas një standardi të paracaktuar me vëmendje nga Ministria e Shëndetësisë dhe me staf të kualifikuar. Në fund të këtij viti mbarojnë 80 qendrat e para, vitin e ardhshëm janë financuar në buxhetin e ri 100 të tjera dhe besoj që do t’ia dalim që deri në fund të këtij mandati të kemi 300 qendra të reja shëndetësore, që do të lehtësojnë ende më shumë flukset e mëdha që përballon padrejtësisht dhe rëndon me mbingarkesë QSUT, paralelisht me shërbimet e reja që po krijohen në spitale të tjera rajonalë dhe falë edhe një kontributi shumë të rëndësishëm dhe dua t’i falenderoj sinqerisht të gjithë ata që janë përfshirë në programin e patronazhit të spitaleve të tjera nga ekipi i Qendrës Spitalore Universitare”.

Nga ana tjetër edhe minsitrja Ogerta Manastirliu theksoi se ky investim pranë QSUT do të çojë përpara modernizimin e shërbimeve për qytetarët. Sipas kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu reforma në shëndetësi dhe investimet në infrastrukture do të ofrojnë rritje të cilësisë së shërbimeve si dhe do të rikthejnë besimin e qytetarëve tek bluzat e bardha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!