Shtyhet për në 30 tetor procesi ndaj Shullazit e grupit të tij

schedule09:58 - 23 Tetor, 2018

schedule 09:58 - 23 Tetor, 2018

Shtyhet për në datë 30 tetor seanca e radhës së procesit kundër Emiljano Shullazit dhe 4 të bashkë të pandehurve të tjerë. Në seancën e sotme ishte parashikuar që të dëgjoheshin konkluzionet e palës mbrojtëse. Por, pavarësisht se avokatët ishin të pranishëm në seancë, ndërsa të akuzuarit jo, pala mbrojtëse kërkoi më shumë kohë për të përgatitur këto konkluzione. Edhe sot në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda u konstatua prani e shtuar e forcave policore.

Prej disa javësh seancat për grupin e Shullazit zhvillohen nën masa të rrepta sigurie. Dy javë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda dha pretencën duke kërkuar 64 vite burgim në total për grupin Shullazi. Për Emiliano Shullazin u kërkuan 17 vite burgim, për tetë vepra penale që nga gjobëvënia, kanosja per shkak të detyrës, shkatërrimi i pronës me eksploziv apo dhe drejtim i grupit kriminal.

Për Gilmando Danin u kërkua 15 vjet burgim, për Endri Qyqën dhe Endrit Zelën nga 11 vjet heqje lirie dhe për Blerim Shullazin 10 vjet burgim. Kërkesa e Prokurorisë për dënimin e pesë anëtareve të grupit u dha në prezencë të përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe gjermane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!