Pas vendimit për mbylljen e spitalit Covid2, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zhvilluar ditën e sotme takim me stafin e këtij spitali.
Manastirliu theksoi se pavarësisht mbylljes gjendja e gatishmërisë nga stafi mjekësor nuk do të mungojë. Më tej theksoi se nëse do të ketë rritje të infektimeve me Covid, atëherë ky spital do të rihapet.
Lexo edhe: Mbyllet “Covid 2”, “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet funksionit si Sanatorium
“Spitali i rikthehet shërbimeve të veta rutinë, por nga ana tjetër vijon zhvillimin e projekteve të mëdha, sikurse ne e kemi thënë dhe kemi investuar për shërbimin e ri të kardiokirurgjisë. Dua të siguroj të gjithë qytetarët që pavarësisht faktit për të mbyllur spitalin “Shefqet Ndroqi” si spital që trajton rastet Covid kjo nuk do të thotë që harmonizimi i shërbimeve nuk do të jetë funksional për ato raste që do të kërkojnë trajtim të specializuar për rastet post Covid.
Ajo çfarë na ka mësuar situata e pandemisë është që tashmë duhet të fillojmë të harmonizojmë shërbimet tona në funksion edhe të impaktit që vetë Covid-19 ka lënë. Pavarësisht faktit që mbyllëm tre spitalet rajonale COVID dhe tashmë po mbyllim si spital Covid spitalin “Shefqet Ndroqi” nuk do të thotë se nuk do të jemi në gjendje gatishmërie.
Gjendja e gatishmërisë do të jetë, nëse do të kemi shtim të rasteve apo do të kemi nevojë për ta rihapur këtë spital si spital që ti shërbejë pacientëve me COVID. Ne tashmë kemi eksperiencën dhe të gjithë mundësinë për tu rikthyer në skenarët që mund të na implikojë një situatë, që mund të ketë një shtim të rasteve për trajtim në këtë spital”, ka thënë Manastirliu.
/abcnews.al/