Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puçdemon, ka krijuar një strukturë në Bruksel që do të punojë për fitimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Ndërkohë, BE ka zbuluar se Rusia ka ndikuar në përkeqësimin e situatës në Katalonjë përmes lajmeve të rreme.
Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puçdemon vazhdon përgatitjet për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të thirrura nga qeveria e Spanjës. Lideri separatist ka njoftuar krijimin e një “strukture të qëndrueshme” për të “koordinuar veprimet e qeverisë” nga ekzili në Bruksel për të arritur fitore në zgjedhjet e 21 dhjetorit dhe lirimin e të burgosurve politikë. Struktura e quajtur “Qeveria Legjitime”, në Belgjikë do të kontribuojë edhe për “denoncimin e politizimit të drejtësisë spanjolle, mungesën e paanshmërisë dhe vullnetin e saj për të përndjekur idetë”.
Ndërkohë, Bashkimi Europian po tenton të luftojë makinën e propagandës së Kremlinit në Katalonjë. Një ekip me specialistë, i krijuar nga Unioni në 2015 për të zbuluar dhe luftuar sulmet e Rusisë përmes internetit, ka verifikuar se në muajt e kaluar është rritur fushata për të përkeqësuar krizën në rajonin që shpalli pavarësinë nga Spanja.
Ky department, që varet nga Komisioni i Lartë për Politikë të Jashtme me bazë në Bruksel, pranon se në punën e përditshme të evidentimit të lajmeve të rremë që vijnë nga Rusia, tradicionalisht e përqëndruar në skena si Ukraina apo republikat baltike, Katalonia është bashkuar kohët e fundit. Sipas analistëve të këtij ekipi, lajmet false lidhur me situatën në rajonin autonom të Spanjës janë shumëfishuar në media që kontrollohen nga Kremlini./abcnews.al