Mourinho bën sherr në fund të ndeshjes

schedule22:22 - 20 Tetor, 2018

schedule 22:22 - 20 Tetor, 2018

Jose Mourinho pati një pasdite negative në Londër. Trajneri i Manchester United u provokua nga një kundërshtar, dhe u tall nga tifozët e Chelsea-t.

Një fund tepër i keq, por jo për rezultatin.

Barazimi 2-2 në fushën e Chelsea-t padyshim mund të pranohet, por jo festimi i një kundërshtari mu nën hundën tënde. Jose Mourinho reagoi duke dalë jashtë kontrollit, pas provokimit të ndihmëstrajnerit të Chelsea, Marko Iani, ndërsa Chelsea sapo kishte barazuar ndaj Manchester United në “Stemford Bridge”.

U desh ndërhyrja e njerëzve të sigurisë, që Murinjo të mos shkonte për t’u zënë fizikisht me Ianin, ndërsa trajneri i Chelsea-t, Mauricio Sarri, i kërkoi falje portugezit për sjelljen e ndihmësit të tij. Pasditja ishte tepër e ngarkuar me emocione dhe stres për 55-vjeçarin, që u kthye sërish në stadiumin ku dikur ishte “I veçanti”.

Nuk mjaftoi sherri, por u deshën edhe talljet e tifozëve londinezë, të cilëve ai iu përgjigj duke ngritur tre gishta lart ndërsa dilte nga stadiumi, për t’iu kujtuar tre titujt e fituar nga ai me skuadrën e tyre të zemrës.

E gjitha kjo, sidoqoftë, nuk e zbriti në plan të dytë ndeshjen, që ishte vërtet e fortë, e denjë për ajkën e Premier Ligës. Chelsea u duk se ishte në kontroll kur kaloi në epërsi me anë të mbrojtësit Rudiger, pas një gabimi të Pol Pogbasë, që me siguri do ta ketë zemëruar shumë Mourinhon.

Ndryshe nga sa pritej, Manchester United nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm, ashtu siç bëri edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Newcastle në “Old Traford”.

A nuk thuhet se lojtarët nuk luajnë për trajnerin e tyre?

Atëherë si ka mundësi që ata luftojnë fort për të kthyer humbjet në fitore?

Besohet për shkak të egove personale, por edhe sepse janë pjesë e një klubi të madh. Sulmuesi francez, Anthony Martial, ishte autor i dy golave, pas pushimit, veçse nuk qe e thënë që Murinho ta merrte fitoren për të cilën kishte aq shumë nevojë.

Në minutën e gjashtë dhe të fundit shtesë, skuadra e Sarrit barazoi me anë të Ros Barklit. Chelsea mbeti pranë kreut dhe pretendent për titull, ndërsa United nuk u largua dot nga mesi i tabelës në Premier Ligë, dhe rreziku i shkarkimit mbetet real për Murinhon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!