Kukësi e Teuta ishin skuadrat fituese në ndeshjet e Superligës. Veriorët ia dolën me përmbysje në fushën e Kastriotit, ndërsa durrsakët triumfuan në mënyrë të habitshme 3-0 ndaj Laçit.
Nuk është e lehtë të entuziazmohesh nga këto ndeshje.
Në stadiumet thuajse bosh dhe në një produkt thuajse pa vlerë, do të ishte vështirë të jepnin kënaqësi edhe gjigandët e Europës, jo më skuadrat e Superligës. Kjo pavarësisht nga rezultatet, e përmbysjet.
Një të tillë e arriti Kukësi në atë që quhet fusha e Kastriotit, veçse në Fushë-Krujë, jo në Krujë. Vendasit shënuan në pjesën e parë me lojtarin e huaj, Roxher, madje patën mundësi që ta bënin ndeshjen të vetën.
Ishte po Roxher pranë golit të dytë, por shpërdoroi penalltinë në minutën e 54-ët, duke i dhënë mundësi veriorëve që të pretendonin për pikë. Ata jo vetëm që arritën barazimin, por morën suksesin e plotë, që i ngjiti në kuotën e 16 pikëve, jo larg vendit të parë të Partizanit.
Fillimisht qendërmbrojtësi Ylli Shameti, e më pas braziliani Melo, ishin njerëzit e përmbysjes në fushë. Gjithsesi, nuk qe e lehtë deri në fund, pasi Kastrioti I trajnerit Plori iu afrua avantazhit të dytë duke goditur shtyllën.
Në Superligë pati edhe një tjetër fitore jashtë fushe, dhe ishte ajo e Teutës. Durrsakët, krejt papritur ia dolën në “Elbasan Arena”, ajo që është për momentin fusha e Laçit. Kurbinasit, të pathyer deri tani, e pësuan 0-3 madje pa bërë fare rezistencë.
Latif dy herë dhe Progni ishin njerëzit e golit për ekipin e trajnerit Shkëmbi. Në renditje, Laçi mbeti me 16 pikë, ndërsa Teuta u afrua në 14, duke kaluar nga zona e rënies nga kategoria, në zonën europiane, në vetëm dy javë./abcnews.al