Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordon ish ministrit të jashtëm të Italisë Franco Frattini me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ky vlerësim i jepet në mënyrë të veçantë për mbështetjen në procesin e lëvizjes pa viza të shqiptarëve në Evropë.
Në një stinë të re hyjnë marrëdhëniet Shqipëri Itali pas viteve 90. Rreth 30 vjet më pas ka ardhur koha për ti shprehur mirënjohjen personaliteteve në veçanti.
Ilir Meta, president i Republikës: “Zoti Frattini, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Italisë, ka padyshim rolin dhe mirënjohjen tonë të merituar për këtë “pranverë të re të miqësisë shqiptaro-italiane”.
Sipas kryetarit të shtetit shqiptar ish ministri i jashtëm i Italisë ka luajtuar rol vendimtar si Zëvendëspresident i Komisionit Evropian dhe Komisioneri për Drejtësinë, Liritë dhe Sigurinë, që ideoi dhe nisi zbatimin e procesit të liberalizimit të vizave për Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që më pas, si Ministër i Jashtëm i Italisë, ka qenë protagonist kryesor në mbështetjen e zbatimit të plotë dhe përfundimtar të këtij procesi.
“Ndaj kemi kënaqësinë sot që t’ju vlerësojmë me Dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në mirënjohje të kontributit të spikatur për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin evropian dhe euroatlantik e në veçanti për lidershipin që ju keni treguar për procesin historik të lëvizjes pa viza të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian”.
Ceremonia solemne e organizuar në institucionin e presidencës bëri bashkë mazhorancën dhe opozitën. Të pranishëm ishin Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ambasadorë dhe personalitete të politikës e medias./abcnews.al

