Hoyt Brian Yee apelon: Bojkot liderve të korruptuar të Ballkanit

schedule12:59 - 9 Nëntor, 2017

schedule 12:59 - 9 Nëntor, 2017

Rryma të rrezikshme që janë shfaqur në Ballkan kërkojnë një angazhim më aktiv dhe më të dukshëm të Shteteve të Bashkuara për të mos lejuar zhbërjen e sukseseve të shënuara që nga ndalja e konflikteve të përgjakshme të viteve 1990. Ka qenë ky mesazhi kryesor i diskutimit të organizuar nga këshilli amerikan për marrëdhëniet me jashtë. ZV/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoit Brajan Yee i pranishëm në këtë diskutim, ndër të tjera bëri apel për bojkotimin e liderëve të korruptuar të ballkanit.

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, tha se perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj liderëve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre. Ai theksoi se është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht akteve të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane. Sipas tij nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve. Lidhur me reformat në drejtësi që po ndërmerr Shqipëria, diplomati i lartë tha se ka rëndësi rezultati. yee shtoi se Uashingtoni si partner i Shqipërisë nuk do të kënaqet me një zbatim të pjesshëm ose me mungesë zbatimi, prandaj do të vazhdohet të kërkohet nga qeveria, partitë politike, anëtarët e parlamentit, që të mbajnë zotimet për të zbatuar amendamentet. Synimi nuk është që të kënaqen Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, por vendosja e sundimit të ligjit, arritja e statusit të pavarësisë për gjyqësorin./abc news

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!