Kupa në Durrës, Shkodër dhe Ballsh: FSHF gjen zgjidhjen për festën e titullit

schedule14:58 - 24 Maj, 2021

schedule 14:58 - 24 Maj, 2021

E mërkura shpall skuadrën fituese të titullit kampion në Superiore. Teuta është më afër trofeut, por shanse kanë edhe Vllaznia, Partizani dhe Laçi. Në kushte të tilla, FSHF ka vendosur të përgatisë tre kupa: në mënyrë që të nisë menjëherë festa për ekipin që do triumfojë.

U zhvillua ditën e sotme mbledhja online e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit, nën drejtimin e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me ceremoninë e dorëzimit të titullit kampion për sezonin 2020-2021 në Kategorinë Superiore.

Duke parë se 90 minuta përpara fundit të sezonit në garë për titullin kampion janë katër skuadra, Komiteti Ekzekutiv vendosi organizimin e 3 ceremonive, në Ballsh, Durrës dhe Shkodër.

Në të tre qytetet do të jetë trofeu i kampionit, zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që Presidenti Duka i cili do të dorëzojë trofeun, do të udhëtojë drejt stadiumit ku do të dorëzohet titulli menjëherë pas përfundimit të lojës së rregullt.

Komiteti Ekzekutiv miratoi gjithashtu të gjithë materialet për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, që do të zhvillohet online përmes platformës Microsoft Team, në datë 14 qershor, duke filluar nga ora 10:00. /abcnews.al