Real Madrid luan nesër një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ndaj Villarreal për javën e fundit të La Liga. Madrilenëve u duhet vetëm fitorja për të shpresuar më pas në një hap fals të Atletico Madrid dhe fituar titullin.
Para kësaj ndeshje në konferencë për mediet foli trajneri i Los Blancos, Zinedine Zidane. Francezi tregon se nesër skuadra do japë më të mirën dhe lë të kuptohet se lamtumira nga Real Madrid është opsioni më i mundshëm në këtë mbyllje sezoni.
“E rëndësishme është ndeshja, jo ajo që do bëj unë në fund të sezonit. Pas ndeshjes së nesërme do të shohim, ka kohë për të folur për këtë. Nuk është tani koha, mendimet dhe energjia jonë janë në ndeshjen e nesërme. Nuk do të humbasim kohë duke menduar për vitin e ardhshëm.
Duhet të luajmë një ndeshje të nivelit të lartë. Ka qenë rrugë e vështirë, nesër është ditë e veçantë sepse është e fundit. Erdhëm të japim gjithçka, gjithçka do ta lëmë. Ne e dimë me kë do të luajmë, do të japim gjithçka për të marrë tre pikët.
Në vitin 2017 e fituam La Ligan në ndeshjen e fundit, prandaj është kaq e bukur. Bilanci i sezonit është shumë i mirë, skuadra ka dhënë gjithçka. Nesër do shohim nëse nota për sezonin e bërë është 9 apo 9.5. Lojtarët më kanë shpëtuar sepse gjithmonë kanë dhënë gjithçka.
Do i jem gjithnjë mirënjohës atyre. Kam dhënë gjithçka për Real Madrid sepse ka qenë shtëpia më e mirë ku kam qenë ndonjëherë. Kam dashurinë e njerëzve, Real Madridi është gjëja më e mirë që më ka ndodhur. Ramos do jetë me ne, formacionin do e vendosim nesër.
Hazard ka një problem dhe nesër nuk do jetë me ne. Nuk do e rrezikojmë. Nuk kam asgjë pët t’i qortuar lojtarët e mi. Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë këtij sezoni, Covid-19, dëmtimet… Edhe unë mund të kem bërë gabimet e mia, jam kritik ndaj vetes.
Me siguri, Real Madridi mund të jetë ekip më i mirë pa mua. Nuk kam pasur asnjë rol në kthimin e Benzema te Franca, ata do përfitojnë shumë nga prania e tij në fushë”, tha ndër të tjera Zidane. /abcnews.al