Policia e Elbasani ka arrestuar tre sekserë që merrnin para nga studentët për notë kaluese. Sipas policisë ata ndikonin te pedagogët e Universitetit për të realizuar këtë veprimtari jo ligjore.
150 mijë lekë deri në 200 mijë lekë të vjetra për një notë kaluese në Universitetin Alseksandër Xhuvani. Kaq është vlera që sekserët u merrnin studentëve, thotë një burim i policisë së Elbasanit për ABC News. Të cilësuar sekserë që ndikonin te pedagogët në Elbasan, u arrestuan gjatë operacionit “Sezoni”. Ata janë Skënder Stafa, 46 vjeç, Qamil Murataj, 49 vjeç, Medi Hana, 50 vjeç dhe akuzohen se kanë marrë rryshfet për nota kaluese në bashkëpunim me pedagogët.
Operacioni është realizuar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit pas një hetimi dy mujor me metoda speciale të hetimit.
Ndalimi i tyre u bë për kryerjen e veprës penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Policia njofton se për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të tjera detaje, por pritet që të ketë arrestime të tjera. Pak muaj më parë në këtë universitet u arrestuan tre pedagogë, sekserë dhe studentë. Ata ishin pedagogë me emër, por që u akuzuan për korrupsion gjatë sezonit të provimeve./abcnews.al