“Mungojnë 4 titullarë”, Shehi: Ishim pranë objektivave, dua ta ndërtoj skuadrën vetë

schedule11:40 - 20 Maj, 2021

schedule 11:40 - 20 Maj, 2021

Tirana, e dalë nga objektivat e sezonit dhe e ngecur në vendin e pestë luan nesër një ndeshje sa për statistikë ndaj Apolonisë, e rënë matematikisht nga Kategoria Superiore. Para kësaj sfide për mediet foli trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, që shfaqi dyshime për të ardhmen e tij.

“Është një ndeshje që vjen dy javë nga fundi i kampionatit. Na gjen me mungesa për shkak të dëmtimeve. Calesë dhe Torassas, i shtohet edhe Batha për shkak të kartonëve. I shtohet listës edhe Ismajlgeci, të cilin nuk duam ta rrezikojmë. Megjithatë të rinjtë dhe ata që kanë luajtur më pak, do kenë mundësinë e tyre.

Kemi rikuperuar shumë pikë, i jemi afruar objektivave. Për një gol i afrohesh objektivave dhe më pas i largohesh përsëri. Me stafin tim nuk do bëja asgjë ndryshe. Tani që po mbaron kampionati do kemi kohë për të folur për të ardhmen.

Kam kontratë deri më 31 maj. Do ulemi dhe do flasim me presidentin. Ajo që është e sigurt është se pavarësisht se çfarë do të ndodhë, do i japim dorën njëri-tjetrit. Kur e ndërton skuadrën vetë dhe kur e merr skuadrën në mes sezoni, janë gjëra të ndryshme.

Nëse do jem unë, do ndërtojmë një skuadër sipas planeve të mia. Kjo varet edhe nga lojtarët dhe ofertat. E rëndësishme është që kur e fillon vetë, merr lojtarë që i përshtaten modulit dhe skemave të tua.

Më vjen keq, se i jemi afruar shumë objektivit. Dy javë më parë u afruam shumë edhe me titullin. Kur je një hap më pranë objektivit, të vjen keq, por i tillë është futbolli. Ne do mundohemi që të fusim edhe lojtarë, që nuk kanë pasur minutat e duhura.

Për shkak të situatave të caktuara, na është dashur që të përqendrohemi te lojtarët me eksperiencë. Kush fiton titullin? Nuk kam asnjë lloj interesi për titullin. Janë shumë skuadra në valle dhe për mendimin tim ta marrë ajo që e meriton më shumë. Nuk kam preferenca se kush e fiton titullin”, përfundoi Shehi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!