Era Rusi, këngëtarja që ka bërë për vete publikun me zërin e saj unik, e ftuar mbrëmjen e sotme në “E ardhmja është vajzë”, foli për sakrificat që i është dashur të bëjë për të arritur këtu ku është sot. Këngëtarja kujtoi kohën e qëndrimit në Greqi dhe arsyen përse vendosi të kthehej në vend.
“Edhe pse kam fituar nje bursë për të vazhduar studimet në “Brooklyn College of Music” nuk shkova kurrë sepse kisha aq shumë mall sa mendoja se çfarëdo lloj suksesi të mund të arrija, brenda meje do të isha një njeri bosh, i varfër shpirtërisht. Aty kuptova që suksesi i madh është jeta dhe jo karriera.“, tha Era.
Këngëtarja shtoi më tej se ende nuk e ka arritur suksesin më të madh të jetës, pasi siç theksoi ajo, do të jetë dita kur të bëhet nënë për herë të parë. “Pasi fitova një kompeticion të rëndësishëm, kur ikën të gjithë dhe mbeta vetëm, kuptova që nuk kisha njerëzit që më donte shpirti për të festuar. Kështu që një largim drejt Amerikës do më vriste mua dhe familjen.
Mendoj se kam akoma për të bërë dhe mendoj se suksesi më i madh i jetës time do të jetë kur të bëhem nënë. Nuk e kam arritur akoma suksesin tim më të madh.“, tha Era. Sakaq, Era i dedikoi disa fjalë të ëmbla prindërve të saj live në emision.
“Mami dhe babi, gjithmonë kam folur për ju. Asnjëherë nuk i jam drejtuar një kamera drejtpërdrejt por ju e dini që ju dua shumë. Bashkë kemi sakrifikuar shumë, jeni shumë të lumtur për arritjet e mia dhe unë jam shumë e lumtur për arritjet tuaja, që keni rritur dy vajza të mrekullueshme. Uroj që sa më shpejt t’ju bëj me një nip ose mbesë.“, tha Era. /abcnews.al