Dy këngëtaret e dashura për publikun shqiptar, Era Rusi dhe Eneda Tarifa janë të ftuara mbrëmjen e sotme në “E ardhmja është vajzë”. Dy artistet e mirënjohura, mikesha prej vitesh e nisën këtë puntatë me një kolazh këngësh popullore. Përpos Erës, që jemi mësuar ta shikojmë në zhanrin popullor, Eneda dhuroi gjithashtu një atmosferë të këndshme teksa interpretoi për herë të parë këtë lloj muzike.
“Të këndosh me Erën është shumë bukur, më vjen mirë që do të kem një kujtim kaq të bukur në këtë emision. E kam bërë me shumë qejf këtë provë me Erën dhe thashë sa mirë bëra që këndova ca popullore. Sepse aty na fle shpirti, pavarësisht gjithçkaje çfarë bëjmë në ekran, njeriu ka nevojë të gëzojë dhe më shumë sesa me populloren nuk mund të gëzojë me asgjë tjetër. Guxova të këndoj muzikë popullore në ekran.“, u shpreh Eneda pas performancës.
Nga ana tjetër, Era tha se fakti që nuk kanë rastisur të këndojnë bashkë, e bën këtë performancë të mbetet një kujtim i bukur. “Asnjëherë nuk kemi rastisur bashkë, do të jetë një kujtim i bukur por duket se na përshtaten mirë dhe zërat. Na kishte marrë malli të këndonim dhe të performonin ashtu siç na do shpirti.“, tha Era. /abcnews.al