Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi së gjatë sezonit turistik janë punësuar 11 mijë persona. Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, Ahmetaj paralajmëroi se vitin që vjen kontrollet kundër informalitetit do të kryhen edhe në shtëpitë që presin turistë dhe nuk deklarojnë të ardhura.
Gjatë sezonit turistik të këtij viti, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka llogaritur 11 mijë të punësuar, ndërsa numri i turistëve në 8 muaj arriti shifrën 4 milionë. Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, Ahmetaj tha se sfidë për sektorin vijon të mbetet formalizimi, pavarësisht se vlera e gjobave të vëna gjatë sezonit të verës arriti në 1.2 milionë dollarë.
“Sezoni turistik i 2018 ka qenë vit rekord i vizitorëve të huaj, por edhe në aspektin e formalizimit mbi 9900 kontrolle e verifikime në terren janë konstatuar mbi 3500 shkelje dhe janë zbuluar penalitete mbi 130 milionë lekë. Nuk është fokusi te penalitetet, por te edukimi i tatimpaguesve dhe formalizimi i mëtejshëm”.
Ahmetaj njoftoi se deklarimit dhe pagesës së taksave nuk do t’i shpëtojnë as shtëpitë që presin turistë. Administrata tatimore tha ai ka nisur të mbledhë të dhënat që tani.
“Kemi bërë një hap më tej, përsa i përket strukturave akomoduese për formalizim për turizmin. Unë kam filluar negociata me platformat dixhitale të “booking.com” dhe “ARNB”, për të marrë informacione zyrtare nga këto platforma për të gjithë këto struktura që jepen me qira, po për arsye që janë shtëpi banimi janë larg syrit të tatime dhe institucioneve të fiskut”.
Një nga problemet në sektorin e turizmit që evidentoi një sondazh i këshillit të investimeve është arsimi dhe edukimi i personave që shërbejne në fushën e turizmit. /abcnews.al