Muzeu i Shkencave të Natyrës merr emrin e shkencëtares Sabiha Kasimati

schedule17:02 - 15 Tetor, 2018

schedule 17:02 - 15 Tetor, 2018

Autoriteti i Informimit mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit përuron këndin e kujtesës të shkencëtares Sabiha Kasimati, në muzeun e shkencave të natyrës që tashmë mban edhe emrin e saj. Të afërmit thonë për ABC News se ndihen të emocionuara që vizioni i saj merr jetë, por nga ana tjetër kërkojnë rizbulimin e veprës së humbur “Peshqit e shqipërisë”

Në faqen zyrtare të muzeut të Shkencave të Natyrës si datë themelimi i këtij institucioni vazhdon të njihet viti 1948, por në këndin e kujtesës, realizuar nga Autoriteti i Dosjeve, tashmë fillesat për ndërtimin e muzeut zhvendosen me 5 vjet dhe nismëtare është shkencëtarja Sabiha Kasimati, siç e vërteton ky dokument i vitit 1943, që Kasimati ia ka dërguar Ernest Koliqit, kryetarit të Insitutit Mbretëror të Studimeve.

“Është dokumenti me të cilën Sabihaja i propozon Ernest Koliqit, të cilën ai ia pranon, vizionin e saj mbi muzeun e shkencave të natyrës. Janë edhe të gjithë dokumentet, ai në të cilën ajo merr detyrën dhe fillon punë që në vitin ‘43”.

Emocionet janë të mëdha për pasardhësit që tashmë muzeu mban emrin e Sabiha Kasimatit.

“Jemi shumë të emocionuar dhe shumë të vrarë që nipërit e saj nuk arritën këtë që ta shikonin. Ata arritën para disa viteve kur e dekoruan, por ata nuk jetojnë më. Megjithatë ne fëmijët jemi shumë të nderuar dhe shumë të emocionuar. Të gjitha ato oferta që iu bënë për të ikur në Amerikë, për të vazhduar studimet, dhe ajo tha që do kthehem në vendin tim, për të bërë vendin tim”.

Por nga ana tjetër ata thonë se asgjë nuk kompenson jetën.

“Por është jeta që i morën sepse nuk kompensohet dot me gjë tjetër”.

Ndërkohë që historiania, Ledia Dushku, shpjegon se si në këtë kënd çdo vizitorë kupton lehtë pse duhet pagëzuar ky muze me këtë emër, nga ana tjetër vizitorët njihen me jetën e studiueses Sabiha Kasimati.

“Ky kriter përcaktoi raportin mes profilit në tërësi të Sabiha Kasimatit dhe biologes Sabiha Kasimati. Në mënyrë që vizitori që vjen në muze të kuptojë pse ky muze mban emrin e Sabiha Kasimatit. Këtu vijnë edhe nxënës shkollash dhe kjo i dha këndit formën e një timeline-i në mënyqë që kushqo që vjen të marrë  një informacion të shkurtër, konciz, mbi vepritarinë e Sabiha Kasimatit pa e shpërqendruar nga objektivi kryesor që është shkenca e natyrës”.

Peng i familjes mbetet gjetja e veprës së humbur, “Peshqit e Shqipërisë” pasi një vit më parë Autoriteti i Dosjeve u dorëzoi mbrojtjen e diplomës në Torino.

“Është thënë edhe mbledhjet e tjera që kush doli me emra, ka qenë dhe një sovjetik në mes edhe pastaj më sëfundmi doli që punë ishte saj dhe emri i dikujt tjetër”.

Por zonja Sula thotë se puna kërkimore për rizbulimin e veprës së humbur “Peshqit e Shqipërisë”.

“Dokumenti i tjetër i rëndësishëm përveç punës së diplomës janë disa raporta të Arkivës Qendrore dhe të Sigurimit të Shtetit që ne i gjetëm tek dosja formulare e Eqerem Çabej sipas të cilave një bashkëpunëtore e Sigurimit, që quhej “Prurësja”, ky ishte kodi identifikues, raporton për bisedën që ka pasur me Sabihanë ku tregon që vepra e saj, “Peshqit e Shqipërisë”, është përfunduar, ka dalë në shtyp dhe ajo shkon të marrë ekzemplarët dhe t’i çojë aty ku është caktuar”.

Për të pranishmit u shfaq edhe dokumentari i realizuar nga gazetari i ABC News, Ferdinand Dervishi, në emisionin ABC Story, ku shfaqet jeta tragjike e studiueses Sabiha Kasimati, e cila u pushkatua sëbashku me disa intelektualë të tjerë me preteksin e hedhjes së një bombe në ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë në 1951./abcnews.al