Banka Botërore nuk është optimiste në lidhje me investimet e huaja në Shqipëri. Sipas këtij intitucioni të rëndësishëm financiar pritet që në fund të këtij vitit dhe gjatë vitit të ardhshëm këto lloj investimesh të jenë në nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit. Banka Botërore vlerëson se përfundimi i investimeve në veprat e prodhimit të energjisë është shkaku kryesor për tkurrjen e investimeve të huaja në vendin tonë.
Banka Botërore parashikon që investimet e huaja në Shqipëri do të zbresin në fund të vitit dhe gjatë 2019-s në nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit, nëse maten me indeksin “investime në raport me prodhimin e brendshëm bruto”. Investimet e huaja në vendin tonë do të arrijnë 7.3% e prodhimit kombëtar në fund të 2018-s, ndërsa vitin e ardhshëm stoku i tyre do të jetë 6.5%.
Në raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore shprehet se përfundimi i investimeve në veprat e prodhimit të energjisë është shkaku kryesor për tkurrjen e tyre.
Sipas llogaritjeve të Bankës, Shqipëria renditet mes vendeve të Ballkanit që kanë nivelin më të ulët të investimeve të huaja për frymë. Më të lartën e ka Mali i Zi në 6700 euro për frymë, i ndjekur Serbia në 3700 euro, ndërsa shtetet e tjera përfshirë dhe vendin tonë nuk arrijnë të kapin më shumë se 2000 euro investime për frymë.
Edhe pse shumë vende të Ballkanit Perëndimor po përdorin poltika përjashtuese për taksat për thithjen e investimeve të huaja, vetëm një në 5 investitorë i konsideron incetivat si të rëndësishme, pjesa tjetër sheh si prioritet stabilitietin politik, sigurinë, zbatimin e ligjit, infrastrukturën dhe krahun e punës, thotë raporti. Në vitin 2017 investimet e huaja në Shqipëri kapën shifrën e 908 milionë euro, të dominuara nga energjia elektrike, gazi dhe industria nxjerrëse./abcnews.al