Vetëm pak orë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama që kërkoi zero tolerancë për ndërtimet pa leje, në veprim e para u vendos policia e Kukësit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “INFORMALITY 4” u proceduan në gjendje të lirë për ndërtim pa leje 32 qytetarë në këtë qark, nga Kukësi, në Tropojë dhe Has. Gjithashtu u proceduan për shpërdorim detyre 5 drejtues të urbanistikës dhe inspektorë.
Novruz Bardhoshi, me detyrë Drejtor i Urbanistikës pranë Bashkisë Has, Ardian Bardhoshi, inspektor i IMT Bashkia Has, Tasim Nerguti kryeinspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për Qarkun Kukës, Endrit Dida, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kukës dhe Artan Gjyriqi, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tropojë, të cilët akuzohen se nuk ka kryer detyrën për identifikimin e ndërtimeve pa leje dhe kallëzimet penale përkatëse ne lidhje me këto ndërtime për vitet 2020-2021. Në total në Kukës, Has dhe Tropojë janë identifikuar 130 ndërtime pa leje.
Por cfarë tha Edi Rama?
Kryeministri kërkoi sot nisjen e menjëhershme të operacionit të kontrollit në vijën bregdetare për ndërtimet pa leje. Rama tha se kjo duhet të ndodhë tani dhe jo në mes të sezonit. Kreu i qeverisë u shpreh se me ndryshimet ligjore rrezikojnë burg edhe inxhinieri, arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve nëse bëhet palë me investitorin. Kreu i qeverisë kishte një “shuplakë” për policinë kur tha se “shkoni për një copë mur në fund të botës, por nuk kontrolloni ndërtimet buzë detit”.
/ Abcnews.al