Pandemia zgjeron kreditimin nga tregu i zi për 65% të familjeve në 6-II 2020

schedule07:36 - 14 Maj, 2021

schedule 07:36 - 14 Maj, 2021

Pandemia Covid-19 e ka stimuluar kreditimin e familjeve në tregun e zi. Fenomeni pësoi një rritje të fortë në 6 mujorin e dytë të vitit 2020, për të tretin 6 mujor radhazi.

65% e familjeve që kishin një hua për të paguar e kishin marrë atë në tregun e zi dhe vetëm 35 për qind e tyre e kishin marrë në banka dhe institucionet financiare jo banka, treguan rezultatet e një ankete me periodicitet 6-mujor që Banka e Shqipërisë bën në familjet huamarrese, për të testuar gjendjen e tyre financiare.

Tendenca e familjeve për tu financuar me borxh nga individë të tjerë është rritur. Në 6-mujorin e dytë të vitit 2020, nga familjet me borxhe, rezultoi se 48% e kishin marrë nga persona të tjerë fizikë, 32% e kishin siguruar nga bankat, ndërsa një kategori tjetër, rreth 15%, ishin huamarrës kundrejt dyqaneve, pasi kanë konsumuar artikuj me borxh, të cilat shlyhen në një periudhë të mëvonshme dhe 1 për qind pohuan se e kanë siguruar borxhin nga burime të tjera. Sipas grafikut bashkëngjitur, shihet financimi nga individët në tregun e zi është rritur me 1 pikë përqindje në krahasim me 6 mujorin e parë.

Individët që kanë plotësuar nevojat me financim nga tregu i zi arritën përqindjen më të lartë që nga viti 2011, kur ky tregues ishte 54%. Të dhënat tregojnë se financimi nga tregu i zi ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit, duke arritur kulmin në gjatë vitit 2020, ku numri i familjeve që morën hua në tregun e zi u rrit me 6 pikë përqindje, në raport me vitin 2019.

Huaja në rritje jashtë bankave gjatë vitit të kaluar është favorizuar edhe nga pandemia Covid-19, e cila ka i vështirësuar mundësitë për të marrë kredi nga banka. Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës treguan se gjatë tremujorit të fundit të vitit 2020 humbën punën mbi 37 mijë persona, prej të cilëve 33 % ishin të rinj, shumë prej të cilëve kanë financuar konsumin me borxh nga tregu i zi.

Pavarësisht se numri i individëve që merr hua informale është më i lartë se numri i atyre që marrin hua në banka, shuma e marrë nga bankat është më e madhe se ajo në tregun e zi. Paralelisht me rritjen e numrit të familjeve që financojnë borxhin me fajde, ka pësuar rënie numri i individëve që financohen me kredi nga bankat. Të dhënat nga anketa e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga totali i familjeve me borxh, 32% e tyre e kishin ndaj bankave me ulje 3 pikë përqindje në raport me 6-mujorin e parë 2019.

Një numër i madh familjesh borxhlie detyrohen ndaj dyqaneve dhe pikave të shitjes me pakicë. Në 6-mujorin e parë 2020, këto përbënin 15% të totalit. Zakonisht borxhi i tyre është në ushqime dhe bukë, të papaguara nga njësitë e shitjes me pakicë të lagjeve.

Ky lloj borxhi, i cili njihet si listat në dyqane, nuk përfaqëson fajdet në tregun e zi. Zakonisht, dyqanet i japin ushqimet kundrejt pagesave të mëvonshme pa interes. Shumë nga njësitë e shitjes me pakicë e humbasin arkëtimin e këtyre borxheve ose i falin pasi disa nga familjet janë aq të varfra sa nuk ka shpresë për arkëtimin e tyre./Monitor