Këtë të martë në programin “Abc e Pasdites” me moderatorin Ermal Peçi ishin të ftuar Atalanta Kërçyku, Rezart Prifti dhe Evjord Ngjeliu. Suksesi i tjetrit, diss-et apo konkurrenca e hapur ishte fokusi i diskutimit të sotëm. Nisur nga eksperienca e tij në Argjentinë dhe Firence, Ermali e pyet Evjordin se si është gjendur ai mes Shqipërise dhe jetës larg saj.
“Teatri i Operas më ka respektuar jashtë mase, duke më dhënë mundësinë të luaj si solist, jam pjesë e saj, ndryshe mund të ndodh në punët individuale ku përballesh me një tjetër klarinetist ku mund të jetë pak ajo kompetenca. Jashtë e kam ndjerë më shumë sepse ishte gjithmonë ajo fjalia “ja erdhi ky nga Shqipëria”.
Rezarti ndan një tjetër qëndrim në rastin e klarinetistit duke nënvizuar se institucionet janë të detyruara ta respektojnë sepse ka mungesë të tyre në treg.
“Përpos profesionilizmit dhe karrierës që është vlerësuar kudo, ka një avantazh se ka ardhur në një vend që institucionet janë të detyruar ta respektojnë. E di pse? S’ka klarinetist”.
Nga ana tjetër modelja Atalanta tha se suksesin nuk e lidh me famën. Madje ajo tregoi se për të punuar si fotomodele ka hequr dorë nga studimet për arkitekturë. Moment i cili për të ishte një “përplasje” mendimi me familjarët e saj, pasi ata donin që ajo të vazhdonte studimet. Gjithesesi ajo tregoi se për një set është paguar sa puna e një viti e nënës së saj.
Fenomeni i “Diss-eve” apo “like-ve” duket se është një matës suksesi për artistët e viteve te fundit. Të tre ishin të mendimit se nuk janë aspak njësi matëse për to, ndërkohe Rezart Prifti shtoi se “ne diskutojmë për like-t sepse çdo shoqëri ka nevojë për sisteme referenciale. Duke mos pasur sisteme vlerash jemi orientuar tek mediat sociale, madje nëse e vutë re në fushatë kishte edhe politikanë që kujtuan se duke marrë like morën vota por s’morën asgjë”./abcnews.al