Juventusi ishte një nga klubet e para ideatore të Superligës Europianë dhe bashkë me Barcelonën dhe Real Madrid, bardhezinjtë nuk janë dorëzuar nga krijimi i kësaj lige.
Nëse nuk tërhiqet nga Superliga, Juventus mund të përjashtohet nga Serie A. Kjo është ajo që Gabriele Gravina, presidenti i Federatës Italiane tha në një intervistë për Radio Kiss Kiss.
“Rregullat janë të qarta. Nëse në momentin e regjistrimit të klubeve në Serie A për sezonin e ardhshëm Juventusi është ende pjesë e projektit të Superligës, Juventusi nuk mund të marrë pjesë në Serie A.
Do ishte e dhimbshme për tifozët, por rregullat janë rregull dhe vlejnë njësoj për të gjithë”, u shpreh Gravina. Mbetet për t’u parë nëse ky është thjesht një presion për bardhezinjtë, apo rregullat ekzistojnë vërtet. /abcnews.al