Vjeshta e gjatë me thatësirë po zgjat shumë në Kukës dhe banorët thonë se kjo ka vite që nuk ka ndodhur. Janë ulur prurjet e lumenjve dhe në zonë janë shfaqur probleme me ujin e pijshëm.
Nuk mbahet mend hera e fundit kur ka rënë shi në Kukës. Të moshuarit thonë se është ndër të rrallat periudhë e gjatë thatësire.
“S’ka bërë vaki. Ka rënë shi erdhe në Korrik e Gusht, ndërsa në Tetor jo”.
“Sivjet është shumë i gjatë dhe i rrallë”.
Bimësia ka humbur para kohe ngjyrën. Bagëtitë përpiqen të zgjedhin akoma fijet e mbetura të barit të njomë, kurse misri në korrje e sipër nuk është ai i viteve të kaluara Prurjet e lumenjeve nuk kanë të krahasuar me asnjë periudhë të viteve të kaluara. Mungesa e reshjeve i ka pakësuar ato. Lumi Luma ngjan më tepër me një përrua
Pakësimi i prurjeve ka ndikuar edhe në oraret e furnizimit me uje të pijshëm. Liqeni i Fierzës po zbrazet çdo ditë e më shumë. Të paktën deri në fund të Tetorit nuk janë parashikuar reshje. Edhe pse njihet si muaji më me shumë thatësirë, ai ka kaluar rekordet e shumë viteve. Tetori njihet edhe për veçori të tjera që kanë lidhje me industrinë hidrike.
Në rastet e projektimeve për HEC-et, ujësjellësat apo projekte që kanë bazë burimet ujore, përcaktimi i nivelit të prurjeve bëhet gjithmonë nga matjet që realizojnë inxhinerët në muajin Tetor, si muaji më i thatë i vitit./abcnews.al
Gazetar i ABC News: Bujar Muçmata