Nga Leontina Nika
2500 vite Histori e shqiptarëve do të përmblidhet në dy vepra madhore. Pas 20 vitesh Akademina e Shkencave të Shqipërisë nis takimin e parë të historianëve, arkeologëve e njerëzve të kulturës për rishkrimin e historisë së vendit tona.
Historiani Pëllumb Xhufi garanton se historia do vijë e depolitizuar dhe bazuar mbi disa burime arkivore
“Kjo do të jetë një histori totale, nuk do të merret me ngjarjet me faktet me politikën, luftërat, etj, por do të merret me ekonominë, me institucionet juridike të shqiptarëve me artin, me kulturën. Nëse ne do i qëndrojmë parimit themelor për shkrimin e historisë, jo në një dokument e në dy por në disa dokumenta do të jetë një tekst i depolitizuar”, ka thënë Xhufi.
Drejtori i Institutit të Historisë të Kosovës, Sabit Syla, thotë se do ishte mirë që historia të përfshihej deri ne vitin 1999, në datën historike për Kosovën.
“Un ë jam për pjesën pas luftës së dytë botërore, deri tek viti 1990 për historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve të tjerë dhe të mos ndalojë në këtë vit por të vijojë deri në ‘99”, tha ai.
Xhufi i jep këtë përgjigje.
“Fatet e Kosovës do të ndiqen deri në momentin kur realizuan ëndrrën e tyre dhe emancipimin si një shtet i pavarur”, është shprehur ai.
Beqir Meta sqaron se në këtë tekst do marrin fund debatet e nxehta historik , si dhe ndasitë mes historianëve, siç është edhe ai mbi datën e Çlirimit të Shqipërisë .
“Me 29 në mëngjes nuk ka pasur ushtri gjermane. Në këtë histori me shumë mundësi do të shkruhet kështu. Pika të nxehta ka që nga mesjeta, që nga debatet për periudhën osmane, etj”, ka thënë ai.
Historia e shqiptareve do të përfshijë periudhën ilire, arbërore si edhe historinë e shqiptareve jashtë kufijve, Çamëria, Kosova, diasporat e me gjerë.
Dy vëllimet pritet të shohin dritën e botimit në 2023 në gjuhën shqipe dhe më pas do të jenë edhe në anglisht./abcnews.al