Disa javë para zgjedhjeve, më në fund në stadiumin e ri të Kukësit nisën punimet, pas disa muajsh bllokim për shkak se qeveria nuk kishte lëvruar fondin që i përkiste.
Tashmë gjithçka është në rregull dhe vetë klubi i Kukësit përmes një njoftimi thotë me siguri se hapja e siparit të sezonit të ardhshëm do bëhet në stadiumin e ri.
NJOFTIMI I KUKËSIT – Punimet në stadiumin e qytetit po vijojnë me ritme të larta dhe brenda pak kohësh, do të jetë gati për të pritur ekipin pas shumë kohësh mungesë.
Aktualisht është bërë porosia për tapetin, i cili do të jetë 100% natyral, ndërkohë që janë porositur edhe stolat dhe impianti i ndriçimit.
Me ritme të kënaqshme ka ecur edhe puna në tribunën pas porte, e cila ka nisur me vonesë krahasuar me pjesën tjetër të stadiumit.
Tribuna ka nisur të marrë formën dhe brenda pak kohësh, do të jetë gati. E sigurt është që Kukësi e nis sezonin e ri në stadiumin e ri aty ku rikthehemi me synime te qarta. /abcnews.al