“Nga një Janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste”.
Është ky një ndër 5 vendimet më të rëndësishme të qeverisë që i bëri publike kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë sqaroi se ky ndryshim në ligjin për lojërat e fatit iu bashkëngjit atij për zhvendosjen e kazinove elektronike.
“Sipas ligjit duke nisur nga 31 dhjetor i këtij viti do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si edhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, kuaj, qen apo çdo lloj skllavi të faunës shqiptare. Dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometër katror të Republikës së Shqipërisë”.
Ndërsa mediave i dha afat 24 orë për të hequr çdo reklamë bastesh dhe duke paralajmëruar se do të mbyllet çdo faqe online që nuk zbaton ligjin.
“Në zbatim të ligjit ekzistues që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim unë i paralajmëroj të gjithë që brenda 24 orëve të heqin të gjitha reklamat nga radiot, nga gazetat apo portalet. AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit përsa i përket ekraneve dhe radiove ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh dhe shkelje te ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë”.
Lotaria kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike ose siç njihen në gjuhën zyrtare VLT, sqaroi kryeministri duke qenë se lotaria kombëtare është një koncesion i bërë në të shkuarën bazuar në një ligj të veçantë.
Kryeministri Rama bëri të ditur se po punohet për regjimin e ri të licensimit dhe kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra nëpërmjet internetit.
“Brenda këtij afati të 31 Dhjetorit ne do të kemi një regjim të ri gati për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin e ligjit ekzistues me metodat që çanë koalicionin qeverisës, kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare.”
Qeveria ka vendosur edhe pezullimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikqyrjes që Lojrave të Fatit. Deri më 31 dhjetor ky institucion do të transformohet dhe robotizohet përmes teknologjisë digjitale për të funksionuar si mbikëqyrës në regjimin e ri tha kryeministri Rama. Një tjetër vendim i rëndësishëm i qeverisë është draftimi i një pakete ndryshimesh në Kodin Penal për të fortët.
“Kështu quhet paketa, “Të fortët”, të cilëve, përmes një trajtimi ekzemplar, përmes përshkallëzimit të presionit të Policisë së Shtetit në çdo territor, do t’u rezervojmë dhe ndëshkime penale ekzemplare për format e tyre të preferuara të karshillëkut ndaj ligjit, ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit”.
Duke qenë se bëhet fjalë për ndryshime në Kodin Penal, këtë paketë do ta ndajmë me opozitën tha kreu i qeverisë
“Duke shpresuar në mundësinë e kthimit të saj nga bota e filmave në terrenin e përballjes reale me kriminalitetin. Vendime të tjera të rëndësishme që u morën në mbledhjen e Këshillit të Ministraveishte ai për rritjen e sigurisë në shkolla dhe intensifikimin e luftës kundër krimit”./abcnews.al