Dhunohen dy të rinj nga Kosova në Vojvodinë

schedule20:57 - 8 Tetor, 2018

schedule 20:57 - 8 Tetor, 2018

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj të rinjve nga Kosova në krahinën e Vojvodinës. Duke kërkuar gjetjen dhe dënimin e autorëve, Vuçiç thotë se nuk duhet të sulmohet dikush vetëm se është shqiptar.

Një nga dy të rinjtë nga Kosova që u sulmuan në kryqendrën e krahinës së Vojvodinës, në Novi Sad, është ende në gjendje kritike dhe vazhdon të jetë në koma. Sulmi ndaj tyre kishte ardhur nga katër persona pasi ata po flisnin shqip në rrugët e këtij qyteti.

Dy të rinjtë të lindur në vitin 1999, kishin ardhur për të punuar në Serbi tek një bukëpjekës shqiptar. Ka reaguar edhe vet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar që të zbardhet rasti.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë:“Ata janë shtetas serb me kombësi shqiptare. Kërkoj nga ministria e Brendshme të gjenden sulmuesit. Ne nuk jemi të egër dhe ky është një shtet i rregulluar dhe të gjithë qytetarët tanë duhet të kenë mbrojtje të barabartë dhe askush nuk guxon të sulmoj dike vetëm se është shqiptar. Fajtorët të gjenden dhe të dënohen ashpër. Si mund të kërkoj unë mbrojtjen e serbëve nëse kjo nuk ndodh?”

Sulmet e huliganëve dhe dhuna në qytetin e Novi Sadit nuk ndodhin për herë të parë. Shqiptarët këtu janë sulmuar disa herë pas ngjarjeve që lidheshin me Kosovën dhe shumë dyqane u sulmuan pas ndeshjes së dronit Shqipëri-Serbi./abcnews.al