Kryeministri Edi Rama që mori besimin e qytetarëve për të drejtuar Shqipërinë edhe për një tjetër mandat i cilësoi broçkulla akuzat e opozitës për blerje votash. PS mori 74 mandate në 25 prill, por Edi Rama tha në “Opinion” se socialistët humbën edhe 3 mandate nga votat e pavlefshme.
“Këto janë broçkulla. Partitë që kanë humbur, PD dhe LSI që flasin përçartë, pasi nëse do të shohim edhe sondazhet që janë publike, ka një përputhshmëri. Jo exit-poll-et, por sondazhet. Ne sot kalkulojmë që kemi humbur 3 mandate nga votat e pavlefshme, ku pjesa më e madhe.
Pamë që kishe një rritje të pa natyrshme të votave të pavlefshme dhe i kërkuam numëruesve që të mbajnë një lloj rekordi si janë ato vota dhe shumica janë vota ku është votuar në mënyrë të habitshme 12 dhe për votën e kandidatit ka shkuar te….në Elbasan ka mijëra të pavlefshme. Në Elbasan kishte disa mijëra me 12 me 8, që 8 ishte numri i Taulantit, po ashtu edhe në Tiranë.
Ne kemi arritur objektivin dhe e kemi kaluar për të thyer tavanin e 800 mijëve dhe kemi 3 mandate aty. Vota ishte e qartë e një dallimi që ishte i qartë edhe në sondazhe por edhe e një organizimi të PS-së, që është makineri fitoreje” tha ai.
Kreu i qeverisë kishte një thirrje drejtuar PD-së. “Shpresoj që të njohë rezultatin sepse është humbja e pestë radhazi. Dhe është e njëjta muzikë, nuk mundet dot, është katastrofa e PD-së” tha Rama./ Abcnews.al