Rikthime dhe dëmtime te Real Madrid. Ekipi i Zinedine Zidane ndodhet në garë për fitimin e Champions League dhe kampionatit spanjoll, dhe tani ka më shumë mundësi se kurrë për të gjithë lojtarët.
Ferland Mendy dhe Federico Valverde kanë lënë pas problemet fizike dhe mesfushori uruguaian pritet të luajë në duelin e fundjavës në kampionat kundër Osasunës. Në gjendje të mirë ndodhet edhe Sergio Ramos.
Kapiteni do të luajë disa minuta në fundjavë dhe ka optimizëm në lidhje me mundësinë për ta nisur si titullar duelin e kthimit gjysmëfinale të Champions League kundër Chelsea (5 maj).
Ndërkohë, lajmi i keq lidhet me Dani Carvajal. Mbrojtësi i djathtë ka ndjerë shqetësime muskulore në duelin e së martës kundër Chelsea, që e detyruan lojtarin spanjoll të largohej nga fusha në minutën e 77-të.
Kontrollet mjekësore kanë konfirmuar një tërheqje muskulore dhe sezoni i Carvajal mund të cilësohet i mbyllur, pasi do të qëndrojë minimalisht tre javë jashtë fushave. /abcnews.al